
Pasqyra
Republika Çeke është vendi më i zhvilluar i Evropës Qendrore dhe mbulon një sipërfaqe prej 78.866 km2 dhe ka një popullsi prej 10.6 milion banorësh. Monedha zyrtare është koruna (afrs. 1 euro-25 koruna). Çekia renditet si një ndër 6 vendet më të sigurta dhe më pak fetare në botë, si dhe ka nivelin më të ultë të papunësisë në BE. Republika Ceke është një vend pluralist me demokraci parlamentare shumë –partiake. Parlamenti përbëhet nga dy Dhoma, ajo e Deputetëve (200 anëtarë) dhe Senati (81 anëtarë). Që nga viti 2013, Presidenti zgjidhet nga populli. Presidenti aktual, Miloš Zeman është i pari që është zgjedhë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Përmbledhje
Niveli aktual i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke është shumë i mirë. Çekia ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zëri i Çekisë, si pjesë edhe e Grupit të Vishegradit (V4) ka qenë i rëndësishëm në lidhje me përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Të dy vendet tona kanë shprehur vullnetin politik të zgjerojnë edhe më tej marrëdhëniet tradicionale, duke promovuar përdorimin më efikas, të hapësirave të pa eksploruara deri më tani, në fushën ekonomike dhe të marrëdhënieve tregtare, veçanërisht në sferën e energjisë, transportit hekurudhor, turizmit, kulturës, arsimit dhe shkencës.
Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet diplomatike në mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur me 5 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosen me 10 dhjetor 1945. Marrëdhëniet u ngritën në nivel ambasadori me 2 gusht 1954, u ulën në nivel të ngarkuari me punë ne vitin 1961 për t’u ri ngritur në nivel ambasadori në vitin 1992.
Nga të dyja vendet vihet re me kënaqësi, se 3-4 vitet e fundit marrëdhëniet kanë fituar një moment të ri me shkëmbim vizitash politike në nivelet më të larta. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Pragë, në tetor të 2015, shtroi rrugën për mundësi të reja bashkëpunimi në mes dy vendeve tona. Shumë vizita të tjera në nivel ministrash kanë ndjekur këtë vizitë.
Gjithashtu, bashkëpunim i mirë është shënuar edhe në nivel parlamentar. Shkëmbimet kanë qenë të shpeshta në të dyja anët, si në nivel të kryetarëve të Parlamenteve (2018) ashtu edhe të Komisioneve Parlamentare (2018), duke krijuar kushtet për nxitje të mëtejshme të bashkëpunimit.
Paralelisht me këto vizita në nivel qeverie dhe parlamenti, Ambasada Pragë ka punuar për shtrirjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve edhe ne nivel të qeverisjes lokale, prefekturave dhe institucioneve të tyre.
Tregtia dhe investimet dypalëshe
Marrëdhëniet pozitive dypalëshe në nivel politik janë reflektuar gjithashtu në bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, që ka shënuar një tendencë pozitive. Të dyja palët kanë shprehur interesin e përbashkët që të intensifikojnë marrëdhëniet në këtë fushë. Ky është një moment i mirë për të rritur praninë e kompanive çeke në tregun shqiptar. Aktualisht, investimet çeke arrijnë në 52milion euro dhe gjatë viteve të fundit është shënuar një trefishim në volumin e shkëmbimeve tregtare. Në vitin 2018 shkëmbimet arritën në 100 milion euro nga 75 milion euro që ishin në 2017. Një Forum biznesi u mbajt në Tiranë, në shkurt 2018.
Turistët çekë kanë shfaqur një interes të shtuar për të vizituar vendin tonë, gjatë gjithë vitit. Numri i turistëve çekë dhe atyre shqiptarë në vendet respektive është dyfishuar në 2018 në krahasim me 2016. Çdo verë, operon një linjë direkte avioni, tre herë në javë, në itinerarin Pragë-Tiranë -Pragë