
Me 14-15 mars 2019, Ministri i Jashtëm, Tomáš Petříček zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Shqipëri, gjatë së cilës u takua me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin në Detyrë, Gent Cakaj, etj.
Në takime u konfirmua edhe njëherë angazhimi i Republikës çeke për të lobuar me vendet skeptike në favor të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, gjatë vitit 2019; u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira në aspektin dypalësh dhe u shpreh interesi që ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm politik të kthehet në bashkëpunim ekonomik. Vitin e kaluar, shkëmbimet tregtare në mes dy vendeve tona u rritën me rreth 30% dhe kjo tregon se ekziston një potencial i madh për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik në të ardhmen. Shqipëria po kthehet në një destinacion gjithnjë e më popullor e i kërkuar nga turistët çekë, të cilët kanë dyfishuar numrin në dy vitet e fundit.
Kryediplomati çek vlerësoi transformimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare në procesin e integrimit evropian, sidomos progresin me reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Sipas Petříček, avancimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në proceset integruese është një sinjal pozitiv për rajonin, por edhe për sigurinë e vetë BE-së dhe procesin e zgjerimit.
Çekia ofroi mbështetje për angazhimet tona shumëpalëshe, me theks të veçantë në këmbimin e ekspertizës në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së, në vitin 2020; në marrjen e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe asistencë në procesin e integrimit.
Nga palët u shpreh vullneti për mbajtjen në nivel të lartë të dialogut politik si në nivel qeverie ashtu dhe parlamenti, si dhe mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve në fusha me interes të përbashkët si energjia, turizmi, bujqësia, etj.