ILIRËT
a) Origjina dhe shtrirja gjeografike. Ilirët ishin një popullsi e madhe e lashtë e pjesës P të Ballkanit, që shtriheshin nga gadishulli i Istries, në bregun e djathtë të l. Sava, në luginat e sipërme të Margut (Morava Jugore) dhe Aksiosit (Vardari), në malet Boion (Pindi) e në gjirin e Ambrakisë (gjiri i Artës), deri në bregun e Adriatikut dhe të Jonit. I. u formuan në një proces të gjatë mbi bazën e popullsisë autoktone të epokës së Eneolitit, pas ardhjes së popullsisë indoeuropiane në fund të mijëvjeçarit III p.e.r.
Tiparet etnike të popullsisë së re, që lindi si rrjedhim i simbiozës dhe shkrirjes së tyre, ngjizen gjatë periudhës së mesme të bronzit (shih: Koha e Bronzit), si rrjedhim i zhvillimit ekonomik-shoqëror. Fiset e veçanta ilire, Pajonët dhe Tesprotët – përmenden në poemat “Iliada” dhe “Odisea”. Emri i përbashkët Ilirë del vetëm në shek. V p.e.r. tek Herodoti si përgjithësim i emrit të një fisi që banonte në shpinë të Dyrrahut deri në Kosovë, ku u krijua bërthama e parë e shtetit ilir. Fiset kryesore ilire ishin Histrët, Liburnët, Japodët, Desidiatët, Dalmatët, Autariatët, Labeatët, Dardanët, Pajonët, Ardiejtë, Parthinët, Dasaretët, Enkelejtë, Taulantët, Atintanët – dhe ata që cilësoheshin si Epirotë: Kaonët, Tesprotët, Molosët – etj. Që nga shek. V p.e.r. me këta emra kuptohej një bashkim territorial politik, me qendër kryesore një qytet të madh i qeverisur me nëpunës të zgjedhur çdo vit (koinonet e Bylinëve, Amantëve, Partinëve, Prasaibëve).
b) Rendi ekonomiko-shoqëror. Në fillimet e tij procesi i formimit të etnosit ilir u shoqërua me krijimin e bashkësive fisnore patriarkale. Në periudhën e mesme të bronzit filloi diferencimi ekonomik e shoqëror tek I., ndërsa në bronzin e vonë ky diferencim mori përpjesëtime më të gjera. Dendësimi i këtyre dukurive gjatë kohës së hekurit krijoi premisat për formimin e shoqërisë antike, në fillim në krahinat J e P ilire dhe më vonë në ato V dhe L. Vendosja e plotë e kësaj shoqërie në Ilirinë e Jugut shënohet me formimin e qyteteve ilire në shek. V dhe veçanërisht në shek. IV me urbanizimin edhe të krahinave L e V.
Në shek. IV–III ky proces u shtri edhe në Dardani e në Ilirinë e V. Në burimet e shkruara prania e shtresave shoqërore përmendet që nga shek. IV me prospelatët e Ardianëve dhe dulët e Dardanëve. Gjatë shek. III–II nevojat për skllevër përballoheshin nga luftërat, pirateria, skllavërimi për borxhe. Skllevër të shumtë përmenden në qytetin ilir Pelion. Nga mbishkrimet e Butrintit, Bylisit dhe Klosit (Mallakastër) dëshmohet një legjislacion i rregullt mbi trajtimin e skllevërve në qytetet ilire. Forma private e pronës dëshmohet nga vulat e punishteve. Krahas saj ekzistonte prona shtetërore. Prona private kishte zotërime edhe në bujqësi, ku zbatohej dhënia me qira e tokës nga pronarët e mëdhenj.
Qendrat kryesore të prodhimit antik dhe të këmbimit ishin qytetet. Disa prej tyre prenë monedha bronzi për shkëmbimet në tregun krahinor. Gjatë shek. IV–II p.e.r. prodhimet e qyteteve ilire konkurruan mallrat helene në tregjet rreth tyre. Pushtimi romak solli rënien e qyteteve dhe të ekonomisë ilire në shek. II p.e.r. Nga shek. I e.r. filloi një lulëzim ekonomik i mbështetur kryesisht në bujqësinë. Në këtë periudhë u krijuan qendra të mëdha qytetare edhe në viset V e L ilire, si: Narona, Salona, Skupi, Heraklea (shih: Heraklea e Lynkestisë) etj. Në tokat e grabitura u krijuan latifonde, ku u përdor gjerësisht puna e skllevërve. Që nga shek. II i e.r. pushtuesit romakë e orientuan ekonominë e viseve ilire nga bujqësia, blegtoria dhe shfrytëzimi i minierave.
Tregtia u orientua nga eksporti drejt Romës. Rruga kryesore u bë Egnatia. Shtresa e pronarëve, përveç vendësve, përbëhej nga kolonë romakë dhe të ardhur nga krahina të ndryshme të perandorisë. U shtua përdorimi i skllevërve në ekonomi dhe në fshatra u thellua procesi i shpronësimit të fshatarëve të lirë dhe u zgjerua shtresa e mëditësve. Qëndresa e skllevërve dhe të varfërve mori formë të armatosur me lëvizjen e latronëve (“kusarëve”) në Dardani (shih: Latronët e Dardanisë). Kriza e Perandorisë Romake dhe dyndjet e Barbarëve u pasqyruan në ekonominë e viseve ilire me vendosjen e sistemit të kolonatit në shek. IV të e.r. Shekujt IV–VI të e.r. shënojnë rënien e qyteteve dhe zotërimin e ekonomisë bujqësore.
c) Historia. Gjatë shek. VI–V p.e.r. lindi edhe shteti ilir, i cili në shek IV–II p.e.r. u bë një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. Nga forma politike shteti ilir ishte një monarki e trashëguar, ku sundonin përfaqësuesit e aristokracisë. Ndarjet administrative të tij kishin në qendër qytetet kryesore, ku qëndronte dinasti i caktuar nga mbreti. Brenda kuadrit monarkik të shtetit ilir qytetet dhe krahinat rreth tyre kishin një vetëqeverisje në formën e bashkësive me një këshill ekzekutiv nëpunësish të zgjedhur çdo vit dhe një këshill legjislativ në krye. Në shek. V–IV p.e.r. shteti ilir formohet plotësisht si institucion i mbështetur në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Ilirisë.
Mbreti më aktiv ishte Bardhyli, që theu Maqedonët dhe i vuri në varësi, u besëlidh me Dionisin e Sirakuzës (385) dhe u ndesh me Filipin II të Maqedonisë për rivendosjen e kufirit në lindje (359). Me mbretin Glaukia nisi periudha e forcimit të shtetit ilir. Më 335 u bënë përpjekje për çlirimin e tokave lindore ilire, duke përkrahur kryengritjen e Klitit kundër Aleksandrit të Maqedonisë . U sigurua aleanca me Epirin, duke rrëzuar dinastinë promaqedone dhe duke vendosur në fron Pirron në v. 309. U bashkua Dyrrahu me shtetin ilir dhe u çlirua Apolonia nga zgjedha maqedone (312).
Në kohën e pasardhësve të tij, Monunit dhe Mytilit , shteti u forcua ekonomikisht, duke prerë monedha argjendi dhe bronzi dhe stabilizoi kufijtë me shtetin maqedon dhe epirot. Pas mesit të shek. III, me Pleurian dhe Agronin nisi periudha e lulëzimit të shtetit ilir. Pas thyerjes së Etolëve në Medion (231) dhe aleancës me Epirin dhe Akarnaninë, I. dolën si forca më e madhe politike në Ballkan. Rënia ndesh synimeve të Romës për hegjemoninë në Adriatik u bë shkak për agresionin romak. Në parapritje nën udhëheqjen e Teutës I. siguruan bregdetin duke marrë Korkyrën dhe duke rrethuar Apoloninë, Dyrrahun dhe Isën.
Në dy luftërat e para me Romën (229–218 p.e.r.) (shih: Luftërat iliro-romake) shteti ilir u thye dhe u kufizua në V të Matit. Me mbretin Gent (186–168) shteti ilir filloi përsëri politikën kundër Romës dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Me betejën e Shkodrës (168 p.e.r.) ushtritë ilire u thyen dhe shteti ilir u shkatërrua. Më vonë I. bënë një radhë kryengritjesh kundër pushtimit romak, më e madhja e të cilave ishte kryengritja ilire e vitit 6–9 e.r.. I. vazhdojnë të përmenden deri në shek. VI e.r. si një popullsi me tipare të veçanta etnike. Nga radhët e tyre dolën personalitete të shquara të Perandorisë Romake e Bizantine, si gojëtari Asin Epikadi dhe juristi Prisku, perandorët e shek. III–IV të e.r. Klaudi II, Aureliani, Diokleciani, Maksimin Daza, Konstanci, Konstantini I, Juliani, Justini, Justiniani etj.
d) Kultura. Dallimi i tipareve kulturore të I. bëhet gjithnjë e më i qartë gjatë periudhës së mesme dhe sidomos në fund të kohës së bronzit. Qeramika si element tipik karakterizohet nga përdorimi i gjerë i formave me dy vegjë të dala mbi buzë dhe zbukurimi me motive gjeometrike. Në këtë periudhë u krijuan edhe vendbanimet e fortifikuara, të cilat karakterizohen nga ndarja e hapësirës së brendshme me disa radhë muresh koncentrike. Metalurgjia vendase prodhonte tipa të ndryshëm armësh mbi bazën e prototipave egjeanë me një përpunim të formave. Veglat kryesore ishin sëpatat e tipave vendas “dalmato-shqiptare” dhe “shkodrane”, si dhe tipi jugor i sëpatës dytehëshe.
Njësia shpirtërore e popullsisë ilire shprehet nga i njëjti rit varrimi me kodërvarre (shih: Tumat). Në kohën e hekurit theksohen tiparet e përbashkëta kulturore të popullsisë ilire dhe marrin një shtrirje më të gjerë. Për rajonet J qeramika mbështetet në format dyvegjëshe dhe pikturimi bëhet veçori edhe për trevat ilire të Epirit dhe Maqedonisë P. Për trevat V përdoreshin të njëjtat forma të qeramikës, por zbukurimi bëhej me incizim, gërvishtje ose reliev me motive gjeometrike.
Vendbanimet e fortifikuara kthehen edhe në qendra ku prodhohet qeramika ose punohen metale për nevojat e bashkësisë fisnore dhe shkëmbim në natyrë. Një shfaqje të re të shek. VIII–VII p.e.r. përfaqësojnë parzmoret, kallçinat dhe përkrenaret e zbukuruara prej bronzi, që i takojnë shtresës së kalorësve aristokratë. Shtohen në këtë kohë armët prej hekuri me një trajtim vendas, që zëvendësojnë plotësisht tipat prej bronzi. Që nga fundi i shek. VII p.e.r., me fillimin e prodhimit të mallrave, vihen re ndryshime në kulturën materiale të I. Krijohen qendrat e fortifikuara protourbane të rrethuara me mure gurësh të punuar, si vendbanime të shtresave të reja shoqërore. Prodhimi zejtar mbështetet në traditën e periudhës së hershme të hekurit, duke përpunuar format e veglave të punës, armëve, zbukurimeve dhe qeramikës.
Pas mesit të shek. V p.e.r. nga vendbanimet protourbane krijohen qytetet e mirëfillta. Qytetet më të rëndësishme ishin qendra prodhimi e këmbimi dhe njëkohësisht ishin qendra të territoreve gjeografike të njohura me emrin koinon, ku vepronin qendra më të vogla zejtare e bujqësore. Vendbanimet kryesore rrethoheshin me mure gurësh të punuar. Në urbanistikën e qendrave të mëdha në shek. IV–III zbatohet sistemi ortogonal. Brenda qytetit veçohet agoraja me godinat kryesore shoqërore: teatrin, stoan, tempullin, gjimnazin. Banesat janë të tipit me korridor qendror për shtresat zejtare, me hajat ose gjysmë kat për qendrat bujqësore dhe me peristil për shtresat e pasura. Varrezat janë të sheshta dhe vendosen pranë hyrjeve të qyteteve. Prodhimi artizanal mbështetej në shkëmbimin mall–para. Përdoreshin monedhat e shtetit ilir, të Apolonisë, Dyrrahut, Shkodrës, Lisit, Bylisit, Amantias etj. Fondi i veglave të punës u shtua krahas specializimit të degëve të zejtarisë. Poçeria prodhonte sipas kërkesave të tregut forma vendase ose të përpunuara sipas tipave helenë.
Në shek. III–II punishtet shtetërore dhe private zotëronin plotësisht tregun ilir dhe ngushtonin importin helen. Mjeshtërit ilirë përmenden si ndërtues të aftë të anijeve liburne. Veshja e burrave përbëhej nga këmisha e shkurtër mbi gjunjë dhe e mbërthyer në supin e djathtë, e lidhur në mes dhe rrallë nga tirqit. Mbi të lidhej një veshje e leshtë e tipit të gunës. Për gratë veshja bazë ishte këmisha me mëngë të shkurtra dhe një linjë pa mëngë me prerje trekëndëshe në kraharor. Armatimi përbëhej nga përkrenarja me hapje katërkëndëshe për fytyrën, mburoja e rrumbullakët me rrathë e gjysmërrathë koncentrikë, shpata, hanxhari, heshtat etj.
Me shtetin ilir, format dhe taktikat e luftimit u përpunuan në një art ushtarak ilir. Mjetet e shkrimit dhe mbishkrimet ndeshen edhe në qendrat e vogla. Si gjuhë kulture përdorej greqishtja dhe të gjitha mbishkrimet janë gjetur të shkruara në këtë gjuhë. Arti u zhvillua lidhur me nevojat praktike (shih: Arti antik në Shqipëri). Skulptura e rrumbullakët dhe relievi u përdorën kryesisht në arkitekturë dhe në varreza. Qendra kryesore ishin Amantia, Bylisi, Dimali, Belshi. Ilirët ia përshtatën perënditë e panteonit helen ideologjisë së tyre qytetare, duke ruajtur format e lashta të kultit vendas.
e) Gjuha ishte ilirishtja. Prej saj janë ruajtur pak glosa, si: sika “thika”, peli “pleq” (Epir), aspetos “i shpejtë” (Epir), sabaja “një lloj birre” etj. Janë transmetuar nga autorët antikë një numër i madh emrash të përveçëm (vendesh e njerëzish), disa prej të cilave gjejnë shpjegim me fjalë shqipe, si Dardania me “dardhë”, Dalmatia me “delme, dele”, Ulkin “ujk”, Bardhyl me “bardhë”, Bala me “balë”, Daz me “dash” etj. Në bazë të fjalëformimit, parashtesave e prapashtesave dhe ndryshimeve që kanë pësuar fjalët, ilirishtja është përcaktuar si një gjuhë indoeuropiane. ¤ Neritan Ceka, Zhaneta Andrea
ILIRIA
Trevë në pjesën P të Ballkanit antik, e banuar nga Ilirët. Përmendet për herë të parë në gjysmën II të shek. IV p.e.r. nga Demosteni si fqinjë perëndimore e Maqedonisë. Me formimin e Mbretërisë Ilire emri I. mori edhe kuptimin e ngushtë politik. Në V kufizohej me Panoninë në l. Sava; në L me Mëzinë, Dakinë e Trakinë në luginat e lumenjve Timak (Ibër), Marg (Moravë) dhe Aksios (Vardar); në JL me Maqedoninë në rrjedhën e sipërme të Haliakmonit; në J me Epirin në malet Akrokeraune dhe në luginën e sipërme të Aoosit (Vjosës). Ndahej në Ilirinë e V dhe I. e J. me kufi në l. Narona (Neretva).
Kishte mjaft krahina, më kryesoret e të cilave ishin: Liburnia, Dalmatia, Autara, Dardania, Ardia, Labia, Partha, Penestia, Pajonia, Lynku, Dasaretia, Atintania etj. Në shek. IV–III p.e.r. pjesa më e madhe e saj përfshihej në shtetin ilir nën emrin Mbretëria Ilire. Pas luftërave iliro-romake të v. 229–228, 219 dhe 168 një pjesë e Ilirisë së J u pushtua nga Romakët dhe më 148 p.e.r. u fut në përbërjen e provincës së Maqedonisë. Pjesa V me emrin Ilirik u krijua si provincë më vete nga J. Cezari dhe u vendos nën kontrollin e Senatit që e qeveriste nëpërmjet konsujve.
Gjatë sundimit të Augustit kaloi nën kontrollin e drejtpërdrejtë të perandorit dhe qeverisej nga një legat i tij. Pas kryengritjes ilire të viteve 6–9 të e.r. Iliriku u riorganizua dhe u nda në dy provinca: Dalmacia dhe Panonia. E para përfshinte tokat në V të Matit deri në l. Arsia të Istries, e dyta tokat në V të Dalmacisë e deri në Danub. Dardania u përfshi në fillim në provincën e Mëzisë së Sipërme dhe pastaj u bë provincë më vete. Iliriku mori kuptim më të gjerë në kohën e sundimit të Dioklecanit, duke përfshirë tërë Ballkanin, me përjashtim të Trakisë, me 7 provinca në përbërje të një prefekture. Në përdorimin si emërtim administrativ Iliriku e humbet pak nga pak kuptimin etnik dhe pas shek. VI nuk përdoret më si emër bashkëkohor. ¤ Neritan Ceka
ILIRISHTJA
Gjuhë indoeuropiane që është folur në periudhën antike deri në shekujt e parë të e.r. në Iliri. Nga I. e ka burimin gjuha shqipe. Një dialekt i veçantë i I., mesapishtja flitej edhe në Italinë e J në krahinën e Apulisë dhe në atë të Kalabrisë. Shtrirja e Ilirëve dhe e I. në periudhën antike është një problem ende i diskutueshëm. Nga I. e Ballkanit nuk kemi as tekste të shkruara, as mbishkrime. Atë e njohim pak nga disa emra vendesh, fisesh e njerëzish të trevave ilire, nga disa glosa të lëna nga autorë antikë, grekë e latinë dhe nga disa fjalë që mbahen si huazime ilire në greqishten e vjetër dhe në latinishten.
Nga gjurmimet e studimet e bëra gjatë shek. XIX dhe sidomos në shek. XX (H. Krahe, A. Majer, N. Jokli, J. Rusu, E. Çabej, Z. Mirdita etj.) është mbledhur, sistemuar e botuar një lëndë mjaft e gjerë nga I. dhe janë bërë përpjekje për të përcaktuar në vija të përgjithshme disa nga tiparet fonologjike, leksikore e fjalëformuese të gjuhës ilire, si edhe disa aspekte të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera indoeuropiane. Nga studiuesit janë vënë re disa përkime të I. me gjuhët gjermanike, baltike dhe me keltishten. Një pjesë e mirë e lëndës gjuhësore të I. gjen shpjegim me anë të shqipe.
Mjaft nga emrat e viseve të zonës ilire gjejnë përgjegjëset e tyre në leksikun e shqipes ose në toponiminë e saj: Bigeste: bigë “mal me dy maja”; Dardania: dardhë; Dalmatia, Delmatia, Delminium: del(m)e; Dimallum: dy (di) dhe mal; tergeste: treg; Ulkinion: ulk; Vendum: vend etj. Këto përbëjnë dhe një nga dëshmitë gjuhësore me peshë, të cilat mbështeten edhe në dëshmitë e shumta që janë nxjerrë në dritë nga gjurmimet arkeologjike. Sinteza të arritjeve në fushën e studimeve për Ilirët dhe I. janë bërë në simpoziumin “Ilirët dhe gjeneza e Shqiptarëve” (Tiranë, 1967), dhe në Kuvendet e Studimeve Ilire (1972, 1985 – shih). ¤ Seit Mansak