Në vitet e fundit, Tirana është bërë kryeqyteti më i ri i samiteve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe ka pritur me krenari shumë liderë evropianë dhe rajonalë.
Më 6 Dhjetor 2022, Tirana priti Samitin vjetor BE-Ballkani Perëndimor. Ky ishte samiti i parë midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Samiti ishte një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë strategjike të partneritetit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe përfundoi me miratimin e Deklaratës së Tiranës.
Më 16 Tetor 2023, Shqipëria u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që organizoi një Samit të Procesit të Berlinit. Në këtë samit, liderët patën mundësinë të diskutonin rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimin e rajonit në Tregun e Vetëm dhe gjithashtu nevojën për një Tranzicion të Gjelbër dhe Dixhital në Ballkanin Perëndimor. Gjatë samitit, Shqipëria nënshkroi gjithashtu “Marrëveshjen Rajonale për Njohjen e Ndërveprimit të Kualifikimeve Profesionale”. Në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit, liderët morën pjesë në inaugurimin e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, që hapi dyert për arsimim me standarde botërore për studentët rajonalë.
Më 28 Shkurt 2024, Tirana ishte mikpritëse e Samitit të Ukrainës dhe Evropës Juglindore. Gjatë “Samitit të Evropës Juglindore”, liderët e Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore miratuan një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje që “e gjithe bashkësia ndërkombëtare të rrisë mbështetjen për Ukrainën”. Dokumenti gjithashtu rikonfirmon vendosmërinë e vendeve për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta drejt avancimit drejt Bashkimit Europian, si dhe angazhimin për të marrë pjesë në rimëkëmbjen pas lufte të Ukrainës. Ata bënë thirrje për bashkësinë ndërkombëtare për të rritur ndjeshëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj për liri, pavarësi dhe integritet territorial.
Më 29 Shkurt 2024, Tirana organizoi një tjetër event të rëndësishëm, ‘Samitin Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës’, i cili u përqendrua në integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si dhe në zbatimin e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit ofroi mundësi të reja për shkëmbim mendimesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe sfidat e përbashkëta rajonale. Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, z. Oliver Varhelyi, ishte i pranishëm në samit.
Këtë vit, vendi ynë do të jetë mikpritës i ardhshëm i Samitit të Komunitetit Politik Europian (EPC), që do të jetë një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare dhe do të zhvillohet më 16 Maj 2025.