Bruksel, 16 shtator 2025
Grupkapitulli i katërt “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” u hap më 16 shtator 2025, nëpërmjet Konferencës së 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Me katër kapitujt e hapur të Grupkapitullit 4, numri total i kapitujve të hapur shkon në 28.
Në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, delegacioni i Shqipërisë u kryesua nga Kryeministri Edi Rama, dhe në përbërje të tij kishte Znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore, Znj. Adea Pirdeni, Ministër Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Zëvendëskryenegociator, z. Sofjan Jaupaj, Ministër i përcaktuar për Mjedisin, Ambasadori Ferit Hoxha, Kreu i Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, si dhe anëtarë të tjerë përfaqësues të ministrive përkatëse.
Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur për progresin e bërë nga vendi ynë deri në këtë pikë dhe theksoi se BE-ja është “bekim për një vend si Shqipëria”, duke nënvizuar se synon hapjen e grupkapitullit të fundit brenda këtij viti. “Ky nuk është një proces zgjerimi, është një ribashkim me Evropën,” u shpreh Kryeministri.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, duke përmendur mbështetjen e lartë të qytetarëve (në nivelin e 92% sipas Barometrit) dhe reformat e ndërmarra. “Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar. Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv,” tha Kos. Kos shtoi se do të nisin të mbyllin kapitujt sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojnë sipas saj ambicien e Shqipërisë për t’i përmbyllur të gjitha brenda vitit 2027.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, znj. Marie Bjerre, në emër të Presidencës Daneze të Këshillit nënvizoi se zgjerimi është një përparësi kyçe për presidencën daneze të BE-së, duke e quajtur hapin e Shqipërisë domethënës si për vendin, ashtu edhe për Unionin. “Konferenca e sotme dëshmoi se zgjerimi po ecën përpara dhe tregoi se reforma të vërteta sjellin rezultate të vërteta. Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së,” tha ajo.