INTEGRIMI EVROPIAN – PRIORITET KRYESOR I SHQIPËRISË
Integrimi në BE është objektivi më i madh kombëtar që kryeson agjendën politike të qeverisë shqiptare. Të vetëdijshëm se integrimi i Shqipërisë në BE është mënyra më efikase për demokratizim dinamik, qeveria po merr hapa konkrete për të përmbushur reformat kyçe dhe për të afruar perspektivën e anëtarësimit në BE. Integrimi në BE është një proces jetësor që kërkon rezultate konkrete, dialog dhe partneritet. Prandaj, përpjekje serioze janë në zhvillim për të garantuar përmbushjen e detyrimeve.
Ne synojmë të zbatojmë një bashkëpunim të gjithanshëm me bindjen se suksesi në procesin e integrimit në BE do të thotë zbatim i duhur i reformave dhe përfshirje e të gjithë aktorëve: opozitës, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe grupeve të interesit. Ne besojmë fuqimisht në marrëdhënie konkrete dhe të hapura me partnerët tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar profesionalisht dhe financiarisht. Në këtë moment historik, Shqipëria duhet të avancojë drejt përfundimit të këtij procesi i cili ndihmon në forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Më 19 Korrik 2022, Shqipëria mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila shënoi hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.
Në Nëntor 2023, Shqipëria përfundoi me sukses procesin e ‘screening’ për gjashtë grupe tematike në Bruksel. Procesi i ‘screening’ zgjati 14 muaj, gjatë të cilit u zhvilluan 777 prezantime me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Europian. Që nga viti 2022 janë mbajtur gjithsej 300 takime shpjeguese dhe bilaterale për shqyrtimin e përputhshmërisë së legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së.
Më 15 Tetor 2024, Shqipëria mbajti konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në, e cila shënoi hapjen e Grupkapitullit 1 –Themeloret, një arritje historike për vendin tonë në rrugën e integrimit europian.
Më 17 Dhjetor 2024, Shqipëria mbajti konferencën e tretë ndërqeveritare me BE-në dhe vazhdoi me hapjen e Grupkapitullit 6 – Marrëdhëniet e Jashtme, që shënoi përparim të dukshëm brenda një semestri europian dhe Presidencës Hungareze.
Më 14 Prill 2025, Shqipëria mbajti konferencën e tretë ndërqeveritare me BE-në dhe vazhdoi me hapjen e Grupkapitullit 2 – Tregu i Brendshëm, i cili përfshin lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, kapitalit dhe shërbimeve.
Shqipëria vazhdon të punojë fort drejt qëllimit të anëtarësimit në BE dhe është e përkushtuar të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Historia Shqipëri – BE (Kronologji)
- 14 Prill 2025 – Konferenca e Katërt Ndërqeveritare me BE-në, Hapja e Grupkapitullit 2: Tregu i Brendshëm
- 17 Dhjetor 2024 – Konferenca e Tretë Ndërqeveritare me BE-në, Hapja e Grupkapitullit 6: Marrëdhëniet e Jashtme
- 15 Tetor 2024 – Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE-në, Hapja e Grupkapitullit 1: Parimet Themelore
- Shtator 2022 – Nëntor 2023 – Shqipëria përfundon procesin e ‘Screening’ si pjesë e negociatave të anëtarësimit në BE.
- 19 Korrik 2022 – BE mban konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë
- 24 Mars 2020 – Ministrat për Çështjet Europiane japin miratimin politik për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua zyrtarisht dhe u mbështet nga Këshilli Europian.
- Prill 2018 – Komisioni Evropian jep rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në qershor 2018, Këshilli miratoi konkluzione, në të cilat u pajtua t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria
- 27 Qershor 2014 – Shqipëria fiton Statusin e Kandidatit për BE
- 23 Qershor 2010 – Parlamenti Europian miraton rezolutën për regjimin pa viza me Shqipërinë
- 28 Prill 2009 – Shqipëria dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE
- 1 Prill 2009 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)
- 17 Korrik 2006 – Këshilli miraton një rregullore që krijon një Instrument të ri për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).
- 21 Qershor 2003 – Këshilli Evropian i Selanikut konfirmon “të ardhmen e BE-së” për Ballkanin Perëndimor
- 31 Janar 2003 – Nisën zyrtarisht negociatat për një MSA midis BE-së dhe Shqipërisë nga Presidenti i Komisionit Prodi.
- 1999 – BE propozon Procesin e ri të Stabilizim-Asociimit (SAP) për pesë vende të Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë. Shqipëria bëhet e pranueshme për financim sipas CARDS.
- 1997 – Këshilli i Ministrave të BE-së vendos një qasje rajonale, me kushte politike dhe ekonomike për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
- 1992 – Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Shqipëria bëhet e pranueshme për financimin e programit Phare.
- 1991 – Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Europian