6 maj, Bruksel
Misioni i Republikës së Shqipërisë në BE mikpriti sot në ambjentet e tij, 47 diplomatë të rinj të vendeve anëtare të BE dhe vendete të zgjerimit të cilët janë pjesë e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian të organizuar nga Kolegji i Evropës.
Gjatë këtij takimi, diplomatët e rinj patën mundësi të informohen më tepër mbi procesin e negociatave të Shqipërisë me BE dhe ambiciet e vendit tonë për të ardhmen. Në fjalën e tij, Ambasadori Ferit Hoxha u shpreh se procesi i zgjerimit po përjeton një moment të rëndësishëm dhe të dukshëm, dhe diskutimi mbi zgjerimin me gjeneratën e re të diplomatëve ka një vlerë të vecantë.
Programi Diplomatik i BE-së për Rajonin e Zgjerimit (EUDP) është lançuar së fundmi nga Kolegji i Evropës dhe financohet nga DG ENEST (Komisioni Evropian). Ai synon t’i ofrojë diplomatëve një program të përshtatur mbi Politikën e Zgjerimit dhe Anëtarësimin në BE. Programi po zhvillohet paralelisht me Akademinë Diplomatike të BE-së (EUDA) për diplomatët dhe zyrtarët e shteteve anëtare të BE-së, gjë që bën që ata të kenë shumë module dhe vizita të përbashkëta. Qëllimi është të ndërtohet një rrjet diplomatësh dhe zyrtarësh të rinj në frymën e një esprit de corps diplomatik, përtej kufijve të BE-së.