AKTIVITETE
________________________________________________________________________________________________________________________
Me 27 shtator, në kuadër të aktiviteteve gjatë Festës së Bashkimit Evropian, organizuar nga komuniteti italian në Luksemburg, Ambasadori Hoxha mori pjesë në një panel diskutimi mbi Zgjerimin, me temë “Zgjerimi i BE-së – një perspektivë nga Shqiperia”, së bashku me europedeputetë dhe zyrtarë e aktorë të ndryshëm pro zgjerimit. Ai paraqiti etapat kryesire të rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e negocimit, angazhimet madhore në këtë kuadër, planet e poërbashkëta për hapjen e të gjithë kapitujve brenda këtij viti.
________________________________________________________________________________________________________________________
Me 2 tetor, i ftuar nga Rasmussen Global, Ambasadori Hoxha mori pjesë në Mëngjesin Gjeopolitik mbi “Sigurimin e Kufirit të Evropës Lindore”. Kjo tryezë e rrumbullakët diskutoi sfidat e sigurisë në krahun lindor të BE-së, duke u përqendruar në rritjen e taktikave hibride (dronë, etj.) dhe duke theksuar rolin kritik të aftësive të bazuara në hapësirë, sistemeve të mbikëqyrjes dhe kundër-dronëve në adresimin e këtyre kërcënimeve. Duke vlerësuar të gjitha iniciativat e fundit të NATO dhe të BE-së në përgjigje të taktikave hibride destabilizuese në krahun lindor të BE, Ambasadori Hoxha vlerësoi se kufiri lindor nuk ka qenë kurrë vetëm një kufi gjeografik; ai do të jetë një provë e qëndrueshmërisë së Evropës. Sikurse është edhe Ballkanit Perëndimor, që po përdoret gjithnjë e më shumë si një terren prove për operacione hibride. Objektivi është i qartë: të testohet ndikimi i NATO-s dhe BE-së dhe të vonohet integrimi i plotë i rajonit në strukturat euroatlantike.
“Nëse mund t’i përballojmë presionet hibride, duke kombinuar aftësitë tona të parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke krijuar aleancat, unitetin dhe efikasitetin tonë, atëherë do të jemi në gjendje të dërgojmë një mesazh të qartë: Evropa është në gjendje të mbrojë kufijtë e saj dhe mënyrën e saj të jetesës”.
_________________________________________________________________________________________________________________________
Më 1 tetor, Ambasadori Hoxha mori pjesë në një panel diskutimi, me temë: “Nga Përfitues në Kontribues: Ballkani Perëndimor në Ekuacionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Evropës”, organizuar nga Përfaqësia e Përhershme e Austrisë në BE në bashkëpunim me Institutin e BE për Studimet e Sigurisë (EUISS) dhe Carnegie Europe. Gjatë diskutimit, Ambasadori Hoxha nënvizoi rolin në rritje të Shqipërisë në forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe kontributin e saj në stabilitetin rajonal dhe në partneritetet strategjike me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ai theksoi se si vend kandidat për BE, Shqipëria po intensifikon pjesëmarrjen në iniciativat e përbashkëta të sigurisë, mbrojtjes kibernetike, menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Jemi gjithashtu aktivë në proceset e integrimit evropian, duke marrë pjesë në forume dhe struktura që synojnë harmonizimin e politikave të sigurisë dhe drejtësisë me standardet e BE-së. Kjo qasje e bën Shqipërinë një partner të besueshëm dhe një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon. Si një vend i vogël, ne kemi nevojë që rendi ndërkombëtar të mbështetet fort mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare, të cilat garantojnë paqe dhe stabilitet, dhe mbetemi të hapur për të dhënë më shumë kontribut në këtë drejtim,” u shpreh ai.
_________________________________________________________________________________________
Me 1 tetor, Misioni mori pjesë në një tavolinë të rrumbullakët ekspertësh, të organizuar nga EUROPEUM Institute for European Policy me temë “Perspektivat për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor: Një mundësi e humbur apo një pikë kthese strategjike”. U vlerësua se ndërsa BE është në një fazë kritike të ripërcaktimit të rolit të saj si aktor gjeopolitik, në sfondin e agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë, një peizazhi transatlantik në ndryshim, negociatave të MFF-së së re dhe paqëndrueshmërisë në rritje në fqinjësinë e menjëhershme të BE-së, zgjerimi është rikthyer në zemër të projektit evropian. Ballkani Perëndimor i konsideruar prej kohësh si “puna e papërfunduar” e zgjerimit të BE-së tani ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm: një pikë kthese strategjike apo një mundësi tjetër e humbur. Shqipëria dhe Mali i Zi tani shihen si kandidatët më të qëndrueshëm për anëtarësim. Megjithatë, suksesi i zgjerimit do të varet nga përpjekjet për reforma dhe vullneti politik i vetë vendeve kandidate, por edhe nga aftësia dhe gatishmëria e Shteteve Anëtare për të vepruar si avokatë të besueshëm për integrimin e rajonit dhe në fjalë të fundit nga mbështetja e shoqërive në të gjithë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.