Në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të paligjshme dhe të pamatura nga grupi Houthi kundër anijeve që kalojnë tranzit në Detin e Kuq dhe rrugët ujore përreth, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kryen disa sulme të tjera kundër tetë objektivave në Zonat e kontrolluara nga grupi Houthi të Jemenit në përputhje me të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes individuale dhe kolektive, në përputhje me Kartën e OKB-së. Këto sulme kishin si qëllim për të ndërprerë dhe ulur aftësinë e grupit Houthi për të vazhduar sulmet e tyre ndaj tregtisë globale dhe marinarëve të pafajshëm nga e gjithë bota, duke shmangur përshkallëzimin.
Mbi 30 sulmet, që grupi Houthi ka bërë ndaj anijeve tregtare dhe detare që nga mesi i nëntorit, përbëjnë një kërcënim për të gjitha vendet që mbështeten në transportin detar ndërkombëtar. Ne i dënojmë këto sulme dhe kërkojmë përfundimin e tyre. Ne gjithashtu theksojmë, se ata që furnizojnë grupin Houthi me armë për të kryer këto sulme, po shkelin Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. Përgjigja ndërkombëtare e 22 janarit ndaj sulmeve të vazhdueshme të grupit Houthi, tregoi vendosmëri të përbashkët për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e lundrimit dhe për të mbrojtur jetën e marinarëve nga sulmet e paligjshme dhe të pajustifikueshme.