9 Prill 2025
Sot mikprita në një takim miqësor Ministrin Francez për Evropën, Benjamin Haddad – i cili ka nisur një agjendë dy-ditore në Shqipëri – të pasur në përmbajtje dhe të frytshme për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Vizita e tij është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.
Kjo vizitë është gjithashtu vijimësi e vizitës sime në Paris, vetëm tre javë më parë, ku pata mundësinë të takohem me Ministrin Jean-Noël Barrot, duke paraprirë ndër të tjera edhe vizitën dypalëshe të Presidentit Macron në Shqipëri që do të zhvillohet në muajin maj.
Gjatë bashkëbisedimit që patëm, nënvizuam angazhimin e përbashkët për integrimin evropian të Shqipërisë, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Pa dyshim, një pjesë e rëndësishme e bisedës ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian.
Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, e kam të pamundur të rri pa vlerësuar angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.
Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme.
Pa as më të voglin dyshim, ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Me Ministrin Haddad diskutuam gjithashtu për një ngjarje të madhe që do të zhvillohet në Shqipëri: Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Ky është një samit historik, i cili do të organizohet në Tiranë më 16 maj 2025.
Shqipëria ka privilegjin dhe nderin ta mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte edhe Marrëveshja Ndërqeveritare (G2G), e nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Paris në prill 2024.
Kjo marrëveshje ka shërbyer si një katalizator për thellimin e lidhjeve tona ekonomike dhe ka sjellë në zbatim projekte të rëndësishme në fusha të ndryshme si inovacioni digjital, infrastruktura, bujqësia, dhe turizmi. Po ashtu, investimet franceze, veçanërisht në sektorin e energjetikës, po sjellin transformime të mëdha në peizazhin energjetik të Shqipërisë dhe po vendosin standarde të reja për iniciativat e ardhshme.
Theksuam njëkohësisht se angazhimi aktiv i Francës në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt.
Në përfundim, ndaj bindjen se partneriteti i qëndrueshëm midis Shqipërisë dhe Francës do të vazhdojë të forcohet, duke u mbështetur në vlerat dhe objektivat tona të përbashkëta.
Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të avancuar bashkëpunimin në të gjithë sektorët, duke siguruar që ky partneritet do të kontribuojë në qëllimet tona më të gjera për integrimin evropian dhe stabilitetin rajonal.
I dashur Benjamin, faleminderit dhe të uroj një vizitë të suksesshme në Shqipëri.