Aktiviteti “Ndërtimi i një të ardhmeje tolerance: Kujtesa e Holokaustit 2025”
29 janar 2025
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar kolegë,
Motra dhe vëllezër nga komuniteti hebre në Shqipëri,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, 80 vjet pas çlirimit të kampit të Auschwitz-Birkenau, mblidhemi sërish këtu, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka bërë Ditën e Kujtesës së Holokaustit një traditë të shenjtë, për të përkujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.
Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi tragjedinë e pandreqshme që mbart dhe për të nxjerrë mësime të paçmuara nga të kaluarat e dhimbshme. Është një moment thirrjeje për të riafirmuar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj humanizmit dhe drejtësisë, për të mbajtur të gjallë kujtimin e atyre që vuajtën dhe për të vazhduar me vendosmëri betejën për një botë ku urrejtja dhe diskriminimi të mos kenë vend, në përpjekje për të ndërtuar së bashku një të ardhme të mirë njerëzore të bazuar në tolerancë.
Të nderuar miq,
Kujtesa është mburoja që kemi kundër përsëritjes së tmerreve të së kaluarës. Jemi këtu sot për të ruajtur dhe nderuar dhimbjen e pamasë të atyre që vuajtën dhe humbën jetët në atë tragjedi të papërshkrueshme, për të kujtuar viktimat dhe për të pasur respekt ndaj atyre që mbijetuan. Jemi këtu për të edukuar brezat e rinj, për të siguruar që e keqja të mos përsëritet kurrë dhe për të ruajtur vlerat e dinjitetit dhe paqes, që na mbajnë ende si njerëz.
Holokausti mbetet një dëshmi e fuqishme e urrejtjes, diskriminimit dhe dehumanizimit të njeriut, ku 6 milionë hebrenj u shfarosën për shkak të origjinës së tyre. Çdo viktimë ishte një individ me ëndrra, me shpresa dhe të drejta që duhet të ishin të patjetërsueshme.
Në këtë kontekst, përkujtimi i Holokaustit nuk është thjesht një akt ceremonial; është një thirrje e fuqishme për veprim. Është një apel që kërkon angazhimin tonë të pandalshëm në luftën kundër antisemitizmit dhe çdo forme tjetër diskriminimi, që ende vazhdojnë të përshkruajnë realitetin e botës sonë, edhe sot e kësaj dite.
Por, kujtesa vetë është e pamjaftueshme; duhet të angazhohemi që të edukojmë brezat e rinj, për të ruajtur të vërtetën dhe për të ushqyer në ta vlerat e dinjitetit dhe tolerancës. Edukimi është drita që do të na udhëheqë në errësirën e injorancës dhe do të na ndihmojë të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë. Prandaj, është detyrë e jona që t’u japim mundësinë rinisë jo vetëm të mësojë për tmerret e së kaluarës, por edhe për të forcuar vlerat që janë në themel të paqes dhe drejtësisë.
Në fakt, dy ditë më parë, së bashku me liderë nga e gjithë Evropa dhe bota, pata mundësinë të jem në Auschwitz. E ndjeva në zemër dhe shpirt tragjedinë e pafundme që ndodhi atje. Kjo është një përvojë që na thërret të gjithëve, duke na angazhuar për të mbajtur gjallë kujtimin dhe për të siguruar që kjo tragjedi të mos përsëritet kurrë më.
E ndërsa kujtojmë Holokaustin, është po aq e domosdoshme të nderojmë ata që qëndruan në betejën kundër padrejtësisë. Ata që u përpoqën të ndërpresin rrugën e dhunës dhe persekutimit, ata që ofruan strehë për të përndjekurit, që ngritën zërin për të drejtat e njeriut dhe mbrojtën besën e tyre. Ata janë dritat që shndritën në errësirën e kohës, shembuj të guximit të pashembullt dhe të shpresës që nuk shuhet.
Një nga shembujt më të ndritshëm të këtij guximi është historia e Shqipërisë. Në mes të një Evrope të mbyllur dhe të pushtuar, Shqipëria u bë një oazë shprese, i vetmi vend i pushtuar evropian ku pas Luftës së Dytë Botërore popullsia hebraike u shumëfishua. Ata që arritën të gjenin strehë në këtë tokë, shpëtuan nga kthetrat e vdekjes, sepse këtu gjetën mbrojtje dhe ngrohtësi nga një popull që mbante dhe respektonte Besën – një fjalë e shenjtë, një angazhim i pakontestueshëm, një premtim që çdo shqiptar e mban deri në fund të jetës.
Dhe sot, ndërsa ndezim qirinjtë përkujtimorë, secili nga ata është një simbol i një angazhimi: angazhimi ynë për të mos harruar, për të mos heshtur dhe për të mos lejuar që e keqja të triumfojë. Kujtesa është e rëndësishme, por ajo kërkon veprim. Si popull, si shoqëri, ne kemi një përgjegjësi të madhe për të vazhduar luftën për një botë të drejtë, ku dinjiteti i çdo individi është i shenjtë dhe ku drejtësia triumfon mbi urrejtjen.
Në këtë moment, ndërsa jemi të pranishëm këtu, në një botë gjithnjë e më shumë të përçarë, një nga sfidat më të mëdha të kohëve tona është lufta kundër antisemitizmit. Ky fenomen, i cili ka rrënjë të thella dhe është po aq i vjetër sa edhe i ri, mbetet një kërcënim serioz për vlerat tona demokratike, sigurinë e shoqërive dhe të drejtat themelore të njeriut.
Në botën digjitale, antisemitizmi ka gjetur një platformë të re, ku përhapja e urrejtjes dhe keqinformimit bëhet më e lehtë. Kjo është një betejë që kërkon angazhimin e gjithë shoqërisë: qeveritë, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, bota akademike, rinia duhet të bashkëpunojnë për të adresuar kërcënimet që shfaqen dhe për të promovuar mirëkuptim ndërmjet besimeve dhe grupeve të ndryshme.
Pak ditë më parë, Shqipëria u bë mikpritëse e një ngjarje me rëndësi të madhe – Konferencës ndërkombëtare “Qëndrimi kundër urrejtjes dhe përqafimi i të drejtave”. Ky ishte një çast i veçantë për të shfaqur angazhimin tonë të thellë në luftën kundër antisemitizmit dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Siç theksoi Kryeministri Rama, “Duhet t’i fuqizojmë të rinjtë që të flasin me ata që përhapin urrejtje.” Ky është angazhimi ynë i pandalshëm: të ndërtojmë një botë ku urrejtja të zhduket dhe dinjiteti njerëzor të jetë një vlerë e pakundërshtueshme dhe universale.
E prapë e theksoj se kjo është e arritshme përmes edukimit dhe një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar. Vetëm duke u bashkuar në këtë betejë mund të kundërshtojmë me forcë kërcënimin e antisemitizmit. Udhëzuesit Globalë për Luftën Kundër Antisemitizmit janë një thirrje e fuqishme për veprim, dhe Shqipëria ka marrë mbi vete rolin e një partneri të angazhuar në këtë kauzë të madhe globale. Sfidat që kemi përballë janë të jashtëzakonshme, por përpjekjet tona duhet të jenë të pathyeshme dhe të vendosura, për të siguruar që veprimet tona të jenë të forta dhe të qarta.
Të nderuar miq,
Antisemitizmi është një kërcënim i rëndë për të gjithë ne, një plagë që shkatërron thelbin e shoqërive tona dhe përmbys vlerat më themelore të njerëzimit. Nuk ka më kohë për heshtje; duhet të ndërmarrim veprime konkrete të padiskutueshme për të ndaluar këtë virus të urrejtjes dhe për të mbrojtur pa kompromis të drejtat e njeriut. Vetëm duke u bashkuar, me vendosmëri dhe njëzëri, mund të ndërtojmë një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të tolerueshme – një botë ku çdo individ ka vlerën që meriton, dhe ku shpresa është më e fortë se çdo formë e urrejtjes.
Angazhimi ynë për të ardhmen është detyrë e çdo njeriu që beson në fuqinë e dashurisë dhe barazisë.
Le ta ndërtojmë këtë të ardhme, le ta ndërtojmë tani.
Ju faleminderit.