I nderuar Ministër Vengu,
I nderuar Gjeneral,
Ambasador, kolegë diplomatë,
Të nderuar ushtarakë,
Është kënaqësi dhe një emocion i veçantë për mua të jem sot këtu mes jush për të përcjellë me respekt dhe mirënjohje kontingjentin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që do të kontribuojë në misionin EUFOR “ALTHEA” në Bosnjë-Hercegovinë.
Si dikush që ka pasur privilegjin të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të punojë ngushtë me Forcat e Armatosura të Republikës sonë, si dikush që ka qenë pranë përpjekjeve, sakrificave dhe përkushtimit tuaj, e përjetoj këtë ceremoni me ndjenjën e krenarisë dhe respektit të thellë për punën dhe misionin tuaj.
Ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë: paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive.
Gjatë viteve, Shqipëria ka ndërtuar një histori të suksesshme dhe të denjë në angazhimet ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s dhe një partner i besueshëm në kuadër të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja jonë në misionet e Bashkimit Evropian, si EUFOR “ALTHEA” dhe ai në Mali, ka dëshmuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura. Ju, përmes përgatitjes dhe aftësive të tyre, keni fituar respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Sot, ky kontingjent prej 30 ushtarakësh, të përzgjedhur mes më të mirëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është një tjetër dëshmi e gatishmërisë dhe aftësisë sonë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Përmes këtij angazhimi, ne jo vetëm që forcojmë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por edhe dëshmojmë qartë rolin e Shqipërisë si faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon.
“ALTHEA” ka një rëndësi të veçantë për Ballkanin Perëndimor, duke luajtur një rol kyç në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe në garantimin e stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë mision nuk është vetëm një kontribut në paqen dhe sigurinë rajonale, por edhe një shprehje e linjëzimit të plotë të vendit tonë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Bashkimit Evropian.
Jam i bindur se ky kontingjent i integruar me kompaninë e Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë do të japë një kontribut të çmuar në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për shoqërinë e Bosnjë-Hercegovinës.
Mbaj mend, më shumë se 20 vjet më parë kur Gjenerallejtënant Kingji ishte komandant i parë i një misioni në Afganistan, i integruar mirë dhe fuqishëm me vëllezërit tanë turq, me një kontribut i cili po kalon më shumë se dy dekada, është një fakt konkret i një bashkëpunimi të shkëlqyer që ne kemi me forcat e armatosura turke.
Të nderuar miq dhe kolegë,
Progresi i Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian gjatë vitit 2024 ka qenë historik. Vjet kemi hapur negociatat për kapituj kyç, duke dëshmuar përkushtim maksimal për përmbushjen e objektivave tona strategjike. Komisioni Evropian ka shprehur mbështetjen e tij për qëllimin tonë kombëtar: përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Një tjetër arritje ka qenë nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë me Bashkimin Evropian – që ministri juaj dhe unë e firmosëm në muajin dhjetor – një moment historik që forcon më tej bashkëpunimin tonë me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky partneritet jo vetëm që rrit kapacitetet tona për t’u integruar në nismat evropiane të sigurisë, por gjithashtu dëshmon qartë se Shqipëria është një faktor i rëndësishëm dhe i besueshëm në arkitekturën e sigurisë evropiane.
Edhe këtë vit, ne synojmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, duke përmbushur reformat e nevojshme dhe duke forcuar bashkëpunimin me Presidencën Polake dhe partnerët e tjerë të Bashkimit Evropian. Ky progres nuk është i rëndësishëm vetëm për rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, por edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë rajonit tonë.
E pikërisht, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një prioritet kryesor për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian. Kontributi ynë në “ALTHEA” nuk është vetëm një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një angazhim strategjik për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Siç e përmenda pak më parë, kjo përpjekje pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë evropianë: solidaritetin, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët për paqen dhe sigurinë.
Të dashur ushtarakë,
Misioni juaj në Bosnjë-Hercegovinë është një dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj, duke e bërë Shqipërinë një faktor të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ju jeni ambasadorët tanë në uniformë dhe jam i sigurt se do ta përfaqësoni vendin me nder dhe dinjitet, sepse përfaqësoni jo vetëm Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por edhe aspiratat tona kombëtare dhe vlerat evropiane.
Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ju falënderoj për sakrificën dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm.
Ju uroj një mision të suksesshëm dhe kthim të sigurt në Atdhe.
Shqipëria është krenare për ju dhe për gjithçka që përfaqësoni.