Pas takimit mes tyre, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti francez Emmanuel Macron morën pjesë në shkëmbimin e marrëveshjeve përkatësisht:
-Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, midis Zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi dhe Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Franceze për Zhvillim, Remy Rioux.
-Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim në projektin për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës, midis Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, dhe Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Franceze për Zhvillim, Remy Rioux.
Më pas kryeministri Rama dhe Presidenti francez Macron dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë se erdhët përsëri. Është një nder shumë i veçantë, natyrisht por është edhe një ndjesi e jashtëzakonshme mbarësie, do thosha, që në një kohë kaq të shkurtër, Presidenti i Francës riviziton Shqipërinë dhe qëndron për një tjetër vizitë bilaterale, gjë që na jep shumë krenari, por njëkohësisht dhe shumë mirënjohje për këtë shtysë të fortë nga ana e Presidentit të Republikës së Francës në marrëdhëniet me Shqipërinë, të cilat kanë hyrë në një fazë krejtësisht të re dhe të panjohur më parë.
Kemi bërë faktikisht këtë herë një bilanc të punëve të realizuara pas vizitës së parë historike të Presidentit që ishte i pari Kryetar shteti i Francës që viziton Shqipërinë dhe kemi vazhduar të nënshkruajmë marrëveshje të tjera për të theluar bashkëpunimin në fushat e paracaktuara edhe në marrëveshjen kuadër mes dy qeverive.
Eshte një privilegj i veçantë që Shqipëria mikpriti Komunitetin Politik Europian dhe patjetër është një privilegj i veçantë që së bashku me Presidentin dhe një grup vendesh e kemi shtyrë këtë projekt të komunitetit politik europian, në pikën ku tanimë ka konsensus të plotë nga gjithë vendet përbërëse dhe faktikisht po krijohet një substancë e re në marrëdhëniet mes vendeve europiane.
Më vjen shumë mirë që falë këtij bashkëpunimi, ne kemi kriuar rrugët për të sjellë ekselencën franceze në Shqipërinë. Dje kemi ndezur dritën jeshile të Ecole 42, një ekselencë e Francës në fushën e inovacionit, e cila ka marrë 2 mijë e disa qindra aplikime dhe jam i bindur që pas publikimit të vizitës së Presidentit dje do të ketë edhe më shumë sepse akoma informacioni për hapjen e kësaj shkolle inovative nuk është përhapur gjithandej.
Kemi ecur me projektin e liceut francez. Një kërkesë e komuniteti frankofon të Korçës i ka drejtuar Presidentit në vizitën e tij të mëparshme dhe që sot është në fazën kur ka përfunduar studimi fizibilitetit, ka përfunduar edhe gjithë ajo pjesa e parë e punës dhe ne tani do hyjmë në fazën e krijimit të kushteve për ta nisur procesin mësimor në lice në godinën e dikurshme të Liceut francez dhe me shtimin e një sipërfaqe të re për të akomoduar të gjitha nevojat.
Po ashtu, ne kemi sot në Shqipëri shumë aktive Agjencinë Franceze të Zhvillimit, e cila është agjencia që hyri faktikisht në Shqipëri me nxitjen e Presidentit për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme në Durrës me ujësjellësin e Durresit, por ndërkohë është këtu për të vazhduar të mbështesë projekte të tjera që prekin energjinë e rinovueshme dhe turizmin e qëndrueshëm.
Ne duam ta fuqizojmë marrëdhënien edhe në ndërtimin të administrimit të ujerave, ku Franca është kampione e inovacionit, kampione e eksperiences dhe ka kompani, të cilat operojnë në gjithë botën.
Po ashtu, kemi folur dhe për mbetjet dhe, edhe në këtë drejtim jemi duke punuar me Francën për të pasur një plan të përgjithshëm, i cili të bazohet, jo thjeshtë në strategjinë që ne kemi, por që bazohet në hapa konkretë të punës, pasi në procesin e negociatave për anëtarësim, në procesin e integrimit europian, ky është një kapitull shumë i rëndësishëm dhe këtu kemi shumë për të bërë, kështu që nëse arrijmë të kemi deri në fund këtë bashkëpunim me ekselencën franceze do jetë nje vlerë e shtuar dhe do fitojmë shumë kohë.
Kemi folur me presidentin dhe për mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe do të shikojmë më tutje në komunikime të drejtpërdrejta sesi mund të materializohet përfshirja e Francës.
Dhe në fund fare, më vjen shumë mirë, sepse kjo është diçka që sa e vogël në përmase aq edhe kuptimplotë sipas meje në simbolikën e kësaj marrëdhënie, që kur presidenti erdhi këtu herën e kaluar ishim në ish shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, e cila ishte zbrazur dhe po fillonte puna për ta transformuar në një qendër kulturore me bazë rezidencat për artistë shqiptarë dhe nga gjithë bota, falë bashkëpunimit me fondacionin e mirënjohur Art Explorer.
Dhe sot do jetë një kënaqësi e madhe që ta shoqërojmë Presidentin për ta parë tanimë në veprim këtë projekt dhe praktikisht kurba e këtij transformimi nga një ngrehinë e degraduar e mbetur nga e shkuara në një ngrehinë që i jep energji Shqipërisë së të nesërmes është pasqyra e këtij bashkëpunimi.
Ky është roli dhe kjo është fuqia e shtuar që Franca sjell në këtë bashkëpunim për ne dhe ne jemi thellësisht mirënjohës. Pa diskutim, që sot, ne e ndjejmë Francën shumë afër edhe në procesin e anëtarësimit dhe nga ana tjetër, rajoni ka fituar një mbështetës shumë të qëndrueshëm dhe besnik në të gjitha proceset transformuese në adresimin e momenteve të vështira që duhen akoma zgjidhur dhe në mbështetjen për përfshirjen e gjithë rajonit në Europën e bashkuar.
Zoti President jam vërtetë shumë mirënjohës dhe ne të gjithë jemi shumë mirënjohës për angazhimin tuaj dhe për vizitën tuaj të dytë në një kohë mjaft të shkurtër.
Kjo na mbush zemrën dhe duhet të punojmë me veten tonë për ta kuptuar që nuk do të jetë kaq e zakonshme që do të kemi vizitë të Presidentit çdo 18 muaj, por do të bëjmë më të mirën e mundshme për ta bërë Shqipërinë në sytë e Presidentit francez si një vlerë e shtuar me historinë dhe të ardhmen e Francës. Faleminderit!
Presidenti francez Emmanuel Macron: Zoti Kryeministër, i dashur Edi! Zonja dhe zotërinj ministra, zonja ambasadore, zoti ambasador, zonja e zotërinj!
Faleminderit, zoti Kryeministër për pritjen tuaj të ngrohtë ditën e djeshme. Si dje dhe sot, është një lumturi e madhe për mua te jem përsëri këtu, një vit e gjysmë pas vizitës sime të vjeshtës 2023 dhe pas vizitës suaj në Paris në 2024.
Ministrat tanë janë gjithashtu takuar në njërën anë dhe në tjetrën për këtë agjendë dhe me këtë intensitet të paparë. Vjeshta e 2024 kishte 110 vjet pa vizita presidenti.
Dua të filloj këtu duke ju falenderuar për rizgjedhjen tuaj, për besimin që morët që është e rëndësishme për ju dhe për gjithë ne të tjerët sepse është ky mandat që do na lejojë të vazhdojmë këtë agjendë kaq ambicioze të dëshiruar nga vendi prej kaq vitesh, dhe ju falenderoj për organizimin e CPE-së që është samiti i parë i bërë në rajonin e Ballkanit. Faleminderit për këtë dhe për pritjen tuaj si dhe për vazhdimin që do të bëjmë së bashku.
Ju e thatë që marrëdhënia jonë e dyanshme është e strukturuar ndërmjet disa ambicieve; së pari, sepse në vjeshtën e 2024 filluam dhe po merr formë. Në të vërtetë ne kemi vendosur së bashku në atë moment për një politike inovacioni dhe bashkëpunimi të shtrënguar. Jam shumë i lumtur që pashë promocionin e parë të shkollës Ecole 42, Marrëveshjen për “Green AI” shqiptare e mbështetur nga Franca që është një nga akset e rëndësishme të këtij partneriteti dhe ao që ishte vendosur në vjeshtën e 2023 u bë fakt. Shkolla 42 është një realitet, promocionet e para kanë filluar dhe ne do mundohemi të transformojmë gjërat krahas jush.
Në të njëjtën mënyrë ne kemi vendosur për Liceun Francez të Korçës. Gjithçka që ishte vendosur, është bërë, studimi paraprak është bërë. Ne do të vazhdojmë ta përshpejtojmë. Bashkëpunimi universitar, partneriteti ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universiteti Tek
nologjik të Compiègne po bëhet realitet dhe avancon. Më vone vendosëm në prill të 2024 kur erdhët, në kornizën e referencës në fushën ekonomike, projekti prioritar, menaxhimi i ujit, turizmi, bujqësia, me shumë aktorë francezë që më kanë shoqëruar ka një vit e gjysmë dhe që sot, janë duke u shtrirë nëpër projekte. Ju e rikujtuat, projekti kulturor që e duam, atë që do vizitojmë pak më vonë dhe bashkëpunimet e shumta.
E gjithë kjo për të thënë që deklaratat e kaluara para jush u bënë realitet tani. Kemi avancuar gjithashtu në temat e mbrojtjes, kjo është shumë e rëndësishme. Ministrat tanë nënshkruan dje marrëveshje të partneritetit shumë strukturues.
Ne do të vazhdojmë në të gjitha fushat me kapacitet të mirë. Radarët e mbikëqyrjes në bashkëpunim për strukturim ajror përtej kësaj, ne kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë dhe për të pasur akoma më shumë aktorë francezë në infrastrukturë, në menaxhimin e ujit, të mbeturinave.
Prania jonë në projekte shumë strukturues për të gjithë rajonin dhe e ndaj bashkë me ju këtë agjendë shumë pragmatike dhe shumë ambicioze. Franca do të jetë krah jush për kapacitetin e financimit dhe për ndërmjet këtyre operatorëve të mëdhenj industrialë .
Ju folët, më shumë se 300 milionë janë bërë tashmë. Bëhet fjalë për projekte urgjence, për energjinë, për turizmin e qëndrueshëm dhe për rajonin e Korçës që është djepi historik i frankofonisë në Shqipëri. Ne kemi vendosur këtë që nga vjeshta 2023 me të njëjtat ambicie. Përtej kësaj marrëdhënieje dypalëshe, ne kemi dëshiruar të shkojmë dhe më larg dhe më fort. Është vendi i Shqipërisë në BE që është i rëndësishëm. Dua ta rishpreh këtu bindjen e plotë që kam që shpreha gjatë vizitës së mëparshme, për ribashkimin e kontinentit europian për t’i bërë ballë sfidave të përbashkëta. Shqipëria ka treguar udhën, ka bërë avancime shumë të mëdha këto kohët e fundit, ka bërë shumë blloqe kapitujsh të negociatave. Unë kam besim tek ajo që do bëni ju dhe jam shumë i lumtur për mandatin shumë të qartë që keni pasur. Udha e Shqipërisë është shumë e qartë drejt BE-së. Reformat ambicioze që po bëni dhe pas këtyre reformave dhe këtyre blloqeve negociatash që duken shumë teknike për bashkëatdhetarët tuja, është në udhë aventure që është shumë sensibël. Folëm pak mbrëmë për këtë udhën europiane.
Franca do të jetë krah jush për t’ju shoqëruar në këto reforma dhe për t’ju mbrojtur dhe për t’ju shoqëruar në mënyrë që meritat tuaja të njihen nga të gjithë dhe që agjenda të mbahet, sepse ju të mbani agjendën tuaj dhe ne të mbajmë tonën, për perspektivën e 2027 që nuk është vetëm një perspektivë, por një realitet. Të paktën që nga fillimi i mandatit të parë dhe ristrukturimi i 2019 me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor dhe destinacionin e këtij rajoni pra. Shqipëria tregon udhën në mënyrë të shkëlqyer. Për këtë doja të isha i pranishëm, përveç CPE-së, po për t’ju ri shprehur besimin që kemi për udhën drejt Europës dhe besimin e Francës për këtë udhën europiane që do të bëhet realitet.Faleminderit, zoti Kryeministër për pritjen tuaj dhe faleminderit shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona.
Kryeministri Edi Rama: Miqësia me Francën na nderon dhe është privilegj të jesh mik i Francës, vërtetë.
***
– Janë disa persona që kanë vdekur në Ukrainë në një sulm me dronë rusë. A është përgjigjja e Vladimir Putinit për propozimin tuaj, për propozimin europian dhe propozimin amerikan për armëpushimin apo a duhet që tani të vendosen sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe a do t’i kërkoni presidentit Putin që të veprojë në këtë drejtim?
Presidenti francez Emmanuel Macron: E keni fjalën për presidentin Trump? Duhet të them si fillim mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës dhe drejtuesit e tij dhe këto humbjet e orëve të fundit, dua t’ju them se nuk kemi qenë kurrë naivë dhe kjo nuk ka ndalur kurrë.
Propozimet e armëpushimit që po i rikujtoj që është një iniciativë amerikane, nuk janë respektuar nga presidenti Putin dhe ushtria e tij. Gjërat janë të thjeshta, ne jemi krah Ukrainës që ditën e parë që nga 2014 në sanksione me një proces që u caktua në Minsk dhe me formatin e Normandisë për të cilin e shoqëruam dhe lufta masive që nga 2022 ne jemi krah Ukrainës.
Një president është zgjedhur nga populli amerikan, ai erdhi me një ambicie për të bërë paqen. Tha që do t’i angazhojë të gjithë për të sjellë paqen. Ishte një deklaratë e rëndësishme dhe SHBA duhet të respektohen. Presidenti amerikan bëri së pari një propozim për armëpushim në shkurt. Ne reaguam duke thënë që armëpushimi nuk do ishte i mjaftueshëm, duhej një paqe e fortë dhe e qëndrueshme. Kështu e bëmë në takimin e parë në Paris në shkurt pastaj në takimet e tjera të mëpasme, me një punë shumë intensive me kryeministrin Starinov. Është një propozim amerikan ky armëpushim, ajo pastaj u miratua nga presidenti Zelenskyy edhe pse i agresuar në mars 2025 në Jeddah. Që nga marsi, ne po presim përgjigjen e Rusisë. Ju i rikujtuat faktet, është “JO”. Duke ri angazhuar këtë, të shtunën që shkoi në Kiev, ka një javë, ishim me kryeministrin Starmer, me kancelarin Mert, me zotin Zelensky dhe e kemi thërritur së bashku zotin Trump për t’i thënë që jemi të gjithë për armëpushim me garanci sigurie. Duhet vënë presion mbi Rusinw.
Akordi i dhënë nga presidenti Trump është i fortë e pastaj propozimi i presidentit Putin është “Takohemi në Stamboll”. Të dielën dha pëlqimin presidenti Zelensky. Çfarë kemi sot? Asgjë. Po ju them që përballë cinizmit të presidentit Putin mendojmë, jam i sigurt madje që presidenti Trump, i merakosur për besueshmërinë e Amerikës do të reagojë sepse propozimi për armëpushim, propozimi për tu takuar janë propozime amerikane, janë të rëndësishme, ato nuk mund të kenë një përgjigje të tillë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, por që Ukraina të rezistojë dhe që paqja të vendoset.
– Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin për aksionin që policia e Kosovës ka ndërmarrë në veri të vendit ndërkohë nga ana tjetër presidentja Vjosa Osmani ditën e djeshme gjatë punimeve të Samitit tha se Bashkimi Europian shpesh tregohet i pa balancuar dhe se po penalizon palën që po zbaton rendin kushtetues. Si e komentoni ju këto kritika dhe a besoni se Bashkimi Europian po e humbet kredibilitetin në dialogun Kosovë- Serbi? Një tjetër pyetje që lidhet me deklaratat tuaja apo rezervat tuaja për aleancën ushtarake, si e komentoni ju faktin që aleanca ushtarake dhe nga presidenti Trump po vijnë kërkesa të herë pas hershme për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 5% dhe a është e drejtë që edhe vende si Shqipëria me buxhete të kufizuara të shkojnë në të njëjtën linjë me vendet e mëdha, me fuqitë e mëdha?
Në të njëjtën linjë dhe pyetja për ju zoti kryeministër, si do t’i përgjigjet Shqipëria kësaj kërkese që vjen nga Washingtoni dhe a mund ta përballojë Shqipëria një buxhet të tillë nw 5%?
Presidenti francez Emmanuel Macron: Për pyetjen e parë, udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, që nuk kanë qenë të kënaqshme për çështjet e sigurisë. Kjo është e njohur, nuk ka asgjë të re, mendoj se ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie, duhet të dalë nga kjo ballë për ballje që bllokon situatën. Unë uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën dhe me Beogradin sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të mundur të bëjmë avancimin, është e rëndësishme për të gjithë rajonin.
Mendoj që kërkesat janë legjitime, nuk duhet të lëmë të vendoset një dialog i të fortëve, nuk është mënyra korrekte për të avancuar, të paktën kemi një vullnet për qëllimin e avancimit sepse mendoj që për sigurinë e Europës sonë, për bashkimin e saj duhet ta bëjmë këtë udhë, por është legjitime që të kemi ekzigjenca. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin. Do të vazhdojmë të ecim me forcë, do të riangazhojmë, ne do të shkojmë krahas partnerëve tanë europianë në mënyrë që çdo gjë të avancojë në Kosovë.
Për NATO dhe ekzigjencat, Franca mendoj sot ka ushtrinë më efikase të Europës. Kemi një ushtri komplete tek e cila kemi riinvestuar që prej 2017 me 2 ligje të programimit ushtarak që kanë dyfishuar buxhetin e ushtrive tona, kemi kapacitetin e zhbindjes bërthamore, kemi autonomi strategjike në këto segmente, kemi një përvojë operacionale të paparë në operacionet në Lindjen e Mesme, Afrikë etj. Jemi sot me 2,1% të PBB dhe vazhdojmë ta shtojmë këtë buxhet për vitin në vazhdim, për vitin e ardhshëm. Nuk kam konsideruar kurrë që përqindja e PBB është një fund në vetvete, duhen analizuar sfidat që kemi dhe krahas saj të kemi një angazhim të mirë, një nivel të mirë angazhimi e më pas kemi të gjithë nevojë për të shtuar harxhimet tona, për të përforcuar këtë shtyllë të madhe të NATO-s.
Jemi të kënaqur të kemi mbështetjen e Amerikës, 1/3 e aleancës mbështetet nga ajo, por të jemi të qartë, aleatët tanë amerikanë në mënyrë në shtim shikojnë gjetke dhe na kërkojnë që të marrim në ngarkim gjithmonë e më tepër mbrojtjen tonë, është legjitime. Nuk shifrohet vetëm me përqindjet e PBB dhe nuk duhet të përkthehet në blerje materiale amerikane sepse do të kishte vetëm një pasojë, të shton varësinë tonë me industrinë amerikane. Pra, duhet që ne europianët të investojmë më shumë për tu formuar, për të rekrutuar, për t’u pajisur më shumë dhe gjithashtu për të ndërtuar një bazë industriale dhe teknologjike europiane që përforcon autonominë tonë. Po jua them shumë qartë, horizonti 3,5% PBB është një horizont i mirë për vitet e ardhshme por nuk do të bëhet brenda 6 muajsh, ajo do bëhet duke pasur substancë, duke pasur koherencë. Së fundmi, do rikujtoj dy gjëra, është një përqindje PBB pra është një përqindje në funksion të çdo shteti, nuk është absolute. E dyta, angazhimi i një ushtrie nuk varet nga kjo por nga emrat që janë të shkruar tek monumentet e të vdekurve. Nuk më pëlqen ky debat mes aleatëve kur flitet për shifra, njoh shumë vende në Europën tonë që kanë humbur shumë ushtarë në operacione dhe që kanë angazhuar të tjerë. Ata meritojnë respektin, kjo vlen edhe më shumë se paratë.
Kryeministri Edi Rama: Unë dua të them që, së pari, ne kemi ecur sipas angazhimit duke rritur buxhetin dhe kapur 2% që ka qenë objektivi i përbashkët i Aleancës dhe që në krye të herës është dukur si diçka e pamundur duke pasur parasysh edhe pikërisht atë që thatë ju që ne nuk kemi një buxhet të madh dhe nga ana tjetër kemi shumë nevoja për të përmbushur, por gjithsesi ne e kemi përmbushur detyrimin tonë ndaj kontratës së përbashkët të Aleancës.
E dyta, ky është një moment i veçantë që ka sjellë në tryezë nevojën për të investuar më shumë dhe nga ana tjetër ne duam ta shfrytëzojmë si moment për të rilindur industrinë tonë ushtarake, gjë që kemi nisur ta bëjmë duke e shfrytëzuar investimin më shumë në buxhet për mbrojtjen si një investim për të krijuar vende të reja pune të mirë-paguara, për të rritur kapacitetet e duhura në drejtim të kualifikimit të krahut të punës e kështu me radhë.
Një gjë besoj unë është shumë e qartë, duke parë qw tani që është kjo fryma e përgjithshme që do rriten buxhetet, na vijnë kompani nga të katër anët e Europës, “kemi këtë për të shitur”, “kemi atë për të shitur”, “blini nga ne makina”, “blini nga ne biçikleta”. Është diçka që tregon se çështja nuk është sa para vëmë ne në dispozicion, por si i përdorim ato para, me çfarë efikasiteti dhe si këto para që përdorim ne, e kompletojnë panoramën e përgjithshme të të gjithë vendeve europiane sepse Franca është një rast unikal që ka një ushtri nga A në Zh dhe që mund t’i bëjë vetë të gjitha. Por, Shqipëria nuk mund dot ta ketë një ushtri të tillë dhe si Shqipëria, janë shumë vende të tjera, që nuk mund të kenë një ushtri që t’i kenë të gjitha, deri tek arma bërthamore.
Kështu që, ne duhet të jemi komplementarë në kontekstin e përgjithshëm, dhe për këtë arsye duhet një plan i mirëmenduar, i koordinuar, me procedura shumë më të qarta për të gjithë dhe me një garanci eficence në shfrytëzimin e atyre parave që vendosen, se në qoftë se kjo bëhet një histori për buxhet para dhe shëno aty që i shpenzuam, ne do t’i kemi plot depot me lloj-lloj mallrash, që as nuk do t’i përdorim. Përpara disa javësh, unë pata një bisedë me ceon e një prej kompanive më të mëdha të prodhimeve ushtarake në botë dhe më tha, kam vizituar një vend, se nuk po e përmend në Europë, që ka blerë pafund armatime dhe që akoma i kanë të pahapura, nuk i kanë futur ende në punë. Në letra kjo mund të rezultojë si një shpenzim i mjaftueshëm për ushtrinë, por në fakt nuk është një forcim i mbrojtjes. Unë jam 100% dakord me atë që tha presidenti që ne duhet të jemi realist në gjithë këtë histori dhe duhet të kuptojmë si do ti rrisim kapacitetet, jo si do rrisim buxhetin vetëm, por si do rrisim kapacitetet. Si do kemi mbas një X numër vitesh një sistem mbrojtës të Europës më efikas, më të gatshëm, më të plotë dhe jo si do kemi nëpër blloqe shpenzime ushtarake për të blerë lart e poshtë mjete dhe nga ana tjetër, ne nuk duhet të harrojmë që Europa nuk mund të kthehet në një territor ku flitet vetëm për armë dhe mendohet vetëm për luftë. Ka dhe plot gjëra të tjera që duhet ti mbajmë mirë parasysh, se në fund të ditës, kur vjen puna tek Europa unë besoj se ka dy territore për të mbrojtur: territori fizik dhe territori shpirtëror. Nëse Europa humb në territorin shpirtëror, vlera e territorit shpirtëror të Europës bie në mënyrë të ndjeshme sipas meje.
Faleminderit!