Në datat 18-19 qershor në Strasburg u zhvillua Takimi i 19-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit (SAPC) Shqipëri-BE. Takimi u drejtua nga dy kryetarët, z. Toni Gogu nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetari i D-AL, z. Marco Tarquinio, nga pala e Parlamentit Evropian.
Në fjalën e tij hapëse, z. Tarquinio përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë z. Taulant Balla, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Pawel Lacki, përfaqësuesin e Presidencës polake, z. Andreas Schieder, raporterin e PE për Shqipërinë, znj. Sigrit Brettel, Drejtore e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në DG ENEST dhe znj. Zuzana Michalcova Sutiakova, Kreu i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në EEAS. Tarquinio gjithashtu falenderoi Ambasadorin Hoxha për pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tij të vazhdueshme si dhe shkëmbimin e shkëlqyer të pikëpamjeve të mbajtur me anëtarët e D-AL në takimin e fundit.
Nga ana e Presidencës polake, z. Lacki u shpreh i kënaqur për hapjen e dy grupkapitujve brenda këtij semestri, duke inkujaruar Shqipërinë që të vazhdojë punën drejt integrimit dhe duke garantuar mbështetjen e plotë të Polonisë në këtë proces. “Jam i bindur se Presidenca e rradhës, ajo daneze, do të ketë të njëjtën mbështetje,” u shpreh Lacki.
Nga ana e qeverisë shqiptare, Ministri Balla e konsideroi mbështetjen e Parlamentit Evropian në procesin e integrimit si tepër të vlefshme, duke rikonfirmuar se integrimi evropian mbetet prioritet kryesor i qeverisë shqiptare dhe se reformat do të vazhdojnë në këtë drejtim. “Progresi tepër i shpejtë në vitin e kaluar është një reflektim i drejtpërdrejtë i angazhimit tonë në rrugën drejt BE-së,” u shpreh Balla.
Më tej, gjatë punimeve të SAPC, u diskutuan çështje të rëndësishme si: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal, të drejtat themelore, liria e medias, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, si dhe shteti i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në sesionin e dedikuar marrëdhënieve BE–Shqipëri, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe të Bashkimit Europian, përkatësisht EEAS dhe Komisioni Evropian, shkëmbyen pikëpamje mbi ecurinë e deritanishme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nga të dy institucionet u vlerësua fuqimisht progresi i qëndrueshëm i arritur gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, përfshirë hapjen e katër grupkapitujve të negociatave, veçanërisht Grupkapitullit 1 mbi Themeloret, si dhe përparimin në përafrimin me acquis të BE-së dhe politikat e saj.
SAPC-ja përshëndeti angazhimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, duke e njohur atë si një element kyç për përparimin e vendit dhe si një pasqyrim i konsensusit të gjerë kombëtar mes qytetarëve dhe forcave politike. Anëtarët e delegacioneve u fokusuan kryesisht te përpjekjet e vazhdueshme për reforma, të cilat mbeten prioriteti i vendit, veçanërisht në kontekstin e negociatave që po zhvillohen për katër grup-kapituj të acquis dhe pritshmërisë për hapjen e negociatave për dy grup-kapitujt e mbetur.
Delegacioni i plotë i Kuvendit pati në përbërje deputetët: z. Fatmir Xhafaj, z. Etjen Xhafaj, znj. Enslemvera Zake, znj. Evis Kushi, z. Lavdrim Krrashi nga PS si dhe znj. Jorida Tabaku, z. Gazmend Bardhi, z. Oerd Bylykbashi, z. Agron Gjekmarkaj, znj. Zheni Gjergji, znj. Ina Zhupa dhe z. Saimir Korreshi nga PD. Në fund të takimit dy bashkëkryetarët, z. Marco Tarquinio dhe z. Toni Gogu dolën me deklaratë të përbashkët.