Gazetari Sokol Balla: Kam kënaqësinë të kem në studio në këtë ditë historike, padyshim për Shqipërinë, për shqiptarët, por padyshim dhe për atë vetë, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Ministri Hasani: Një ditë e gjatë, një ditë e bukur, një ditë që është pjesë e gurëve kilometrikë të marrëdhënieve tona me SHBA.
Pyetje: Çdo vizitë e një zyrtari të këtij niveli, e para është historike se nuk janë vizita kortezie, në një farë mënyre janë vizita që kanë shënuar, siç e thatë edhe ju gurë kilometrikë; James Baker në vitin 1991, Madeleine Albright në 1999, Colin Powell në 2003, për çështje të tjera si ‘Adriatik 3’, apo vizita e Presidentit Bush, duke kaluar te Hillary Clinton në 2012 dhe në 2016 John Kerry. Pse është gur kilometrik kjo vizitë e Sekretarit të radhës?
Ministri Hasani: Gur kilometrik, sepse vjen pas një angazhimi shumë të rëndësishëm që pati Shqipëria më SHBA në dy vitet e përbashkëta në Këshillin e Sigurimit, në vitet 2022-2023. Por, edhe për të gjithë pjesën e këtij viti që është shumë i rëndësishëm, për rajonin, Evropën, por edhe për SHBA-në.
Kjo marrëdhënie sa më e fortë dhe më e konsoliduar të jetë, dhe sa më shumë ne të jemi të angazhuar, ku të ulemi në formate dhe tryeza të tilla diskutimesh, aq më mirë jemi në gjendje t’i përgjigjemi sfidave të reja me të cilat do të përballemi.
Pyetje: Zoti Ministër, ne e dimë shumë mirë që Shqipëria është një vend që ka prodhuar gjithmonë konflikte, tensione , një destabilitet të brendshëm, por edhe pasiguri në rajon. Le të themi pa të keq, kjo shkoi deri në vitin 2019, me atë situatë kaotike të krijuar pas bojkoteve të opozitës dhe protestave të dhunshme, të cilat ndezën alarme serioze sidomos tek Shtetet e Bashkuara. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë e së nesërmes, meqë zoti Blinken u referua disa herë rinia, rinia dhe ardhmja? Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë e së nesërmes..! Dhe kur them Shqipëria e së nesërmes, nuk e them në sensin poetik të fjalës. Çfarë ndryshon nga nesër për Shqipërinë?
Ministri Hasani: Shqipëria ka treguar që është një faktor stabiliteti shumë i madh, jo vetëm në rajon, por në të gjitha vendet ku është angazhuar. Angazhimi që ne kemi, dhe angazhimi që Shqipëria po merr në të gjitha formatet në të cilat merr pjesë, është fakt evident, që vërteton një të vërtet të madhe e cila thuhet dita -ditës, që duke u ulur me Shqipërinë duke u angazhuar me të, stabiliteti dhe mirëqenia janë faktorë evident. Nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria të ketë dhe histori të brendshme, situata është politike. Por, në asnjë moment Shqipëria nuk ka treguar që përbën një vend problematik për aleatët, dhe partnerët tanë.
Pyetje: Sot z. Blinken, në konferencën për shtyp bëri një shënim shumë interesant kur u pyet për Kosovën. Shpeshherë këto retorikat antagoniste, që për fat të keq janë shtuar nga Prishtina; them për fat të keq se unë, nuk besoj që përfaqësojnë shumicën, thjesht bëjnë më shumë zhurmë se të tjerët. Këto tentojnë ta identifikojnë Tiranën, si një faktor që për Prishtinën përbën problem, në mënyrën sesi qeveria Kurti, kërkon të vendosi raportet e veta të komunikimit me Beogradin, për të zgjidhjen e problemeve të brendshme. Për zotin Blinken ishte e qartë, që Shqipëria në këtë kuadër ka luajtur një rol të shkëlqyer stabiliteti dhe dialogu. Sa vend pati Kosova në bisedimet e gjata gati 90 minuta mes palëve?
Ministri Hasani: Kosova pati vendin e vet dhe pati një vend të rëndësishëm në të gjitha pikëpamjet. Mos të harrojmë që SHBA-të, janë vendi ndaj të cilave Kosova i detyrohet pavarësinë, i detyrohet realitetin e sotëm dhe të ardhmen. Si dhe angazhimi që çdo shqiptar i Kosovës dhe çdo shqiptari ynë duhet të ketë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është shumë herë më i rëndësishëm sesa interesat tona politike, apo individuale në të gjithë kontekstin e tyre. Unë kam qenë para një muaji në Prishtinë, kam takuar Ministren e Jashtme Gërvalla para 2 javësh në Romë, me të cilën do të takohem edhe këtë fundjavë në Mynih.
Pyetje: A shpresoni që të ketë një reflektim nga Prishtina zyrtare? Sot ka pasur një ‘friendly fire’, por të kryqëzuar ama, kryesisht në Prishtinë, me një dalje në konferencë thuajse të jashtëzakonshme të Ambasadorit Hovenier, dhe një orë më pas kemi deklaratat e Sekretarit Blinken. A mendoni që Prishtina do reflektojë? Dhe mendoni që Shqipëria mund të luaj përsëri një rol qetësues, pajtues, dhe jo acarues…! Për mënyrën sesi qeveria Kurti po e trajton situatën, sidomos sa i përket dialogut me palën tjetër?
Ministri Hasani: Ne nuk duhet t’i zëmë në befasi asnjëherë aleatët dhe partnerët tanë më të rëndësishëm.
Pyetje: Pra, janë zënë në befasi nga këto lëvizjet e zotit Kurti?
Ministri Hasani: Zënia në befasi krijon problematika, keqkuptime, krijojnë situata të cilat kërkojnë më shumë sqarim.
Pyetje: Më shumë sqarime apo amerikanët janë të paqartë? Nga deklaratat e O’Brien, Hovenier dhe nga deklarata sot të zotit Blinken megjithëse ishte në një nivel më të qetë më të shtruar, duket se ata janë në dijeni të asaj që po ndodh.
Ata po paralajmërojnë për humbje të partneritetit, zoti Blinken tha sot dialogu është rruga e vetme, alternativa e saj dihet është ajo që ka qenë në të shkuarën dhe ne e dimë se çfarë ka qenë.
Ministri Hasani: Shqipëria ka treguar në të gjithë aktivitetin e saj ndërkombëtar, që nuk i ka zënë asnjëherë në befasi partnerët dhe aleatët e vetë. Kjo është këshilla më e mirë që ne do vazhdojmë ti japim Prishtinës, miqve dhe kolegëve tanë në Prishtinë. Në mënyrë që gjërat të kenë një drejtim më të mirë në këtë vit që, është shumë i rëndësishëm si për Prishtinën, por edhe për të gjithë ne.
Pyetje: Më ka pëlqyer mënyrë sesi ju u angazhuat në komunikimin midis dy qeverive. Le të themi që një komunikim që u vështirësua pak, para se ju të bëheshit Ministër i Punëve të Jashtme. Dhe në intervistën që bëmë në Nju Jork, ju thatë që unë do shkoj të takoj vëllezërit e mi. Dhe konjotacioni është i qartë, vëllezërit edhe zihen me njëri-tjetrin, në fund fare mbeten vëllezër. Veprimet e më pasme mua, më kanë vënë në dyshim a ju shohin dhe nga Prishtina me të njëjtin këndvështrim? Flas nga Prishtina zyrtare, nga qeveria !
Ministri Hasani: Nuk ka asnjë dyshim që na shohin si vëllezër, si vëllezër të mirë. Në familje ka gjithmonë ide të ndryshme, e rëndësishme është që ne t’ia themi njëri-tjetrit ato që mendojmë. Dhe nganjëherë duhet të luajmë rolin e nevojshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet, që lindin në këto situata
Pyetje: Në 28 shkurt mbahet një Samit i rëndësishëm për Sigurinë, ku do të jetë dhe Presidenti Zelenskyy. A pritet të ketë përfaqësim amerikan sërish?
Ministri Hasani: Patjetër, axhenda është përcaktuar pak a shumë, ne po marrim konfirmimet e fundit të pjesëmarrësve që do të vizitojnë Tiranën. Bëhet fjalë për një Samit të Ukrainës me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me vendet e NATO-s në Evropën Juglindore.
Pyetje: A do të vijë Serbia?
Ministri Hasani: Po!
Pyetje: Kjo i detyrohet edhe rolit të Shqipërisë?
Ministri Hasani: Shqipëria është përpjekur gjithmonë që në axhendën e vetë, por edhe në axhendën e rajonit, ne të jemi gjithëpërfshirës. Tavolinat janë të hapura për gjithë pjesëmarrësit e mundshëm, ku idetë dhe propozimet e tyre të shtrohen në tavolinë, për të gjithë ata, që kanë dëshirë që të ofrojnë diçka më të mirë për vendet e tyre.
Pyetje: Zoti Ministër, ju keni qenë Ambasadori i OSBE-së, në kohën që Shqipëria u bë kryesuese e saj. Puna juaj ka qenë e padukshme, por rezultatet janë ndjerë. Shqipëria pati një performancë shumë të mirë si kryesuese e saj, në një farë mënyre paralajmëroi dhe situatën që po ndodhte në Ukrainë. Ju vizituat bashkë më kryeministrin në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së edhe zonat e konfliktit në Donbas. Sot pamë kryeministrin Rama, i cili foli i angazhuar sigurisht nga pyetjet e huaja dhe për ide që lidheshin me konflikte siç është ai i Lindjes së Mesme. Zoti Rama foli për faktin që Shqipëria e njeh Palestinën, pro idesë së dy shteteve dhe theksoi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur. Por, foli dhe për teprime sa i përket situatës humanitare të shkaktuar si shkak i kundërpërgjigjes së Izraelit. Ai foli gjithashtu dhe për përfshirjen e vendeve Arabe dhe mendësinë ….jo për ndërhyrje ushtarake, por për një farë Forcë Sigurie… deri në përgatitjen e palës tjetër apo rifreskimin e palës Palestineze të pranueshme edhe për Izraelin? Nëse mund të na shpjegoni diçka se, ndoshta kam qenë unë konfuzë?
Ministri Hasani: Jeni shumë të saktë. Ajo që kryeministri ka kohë që e elaboron dhe e ka shprehur dhe në shumë Forume në formate ndërkombëtare, është nevojë për krijimin e një Force Paqeruajtëse, e cila do të garantojë tranzicionin e ndarjes për krijimin e Shtetit të Palestinës. Kjo Forcë Paqeruajtëse nuk mund të jetë vetëm një koalicion vetën perëndimor, por duhet të jetë një koalicion që përfshin vende perëndimore, por edhe vende Arabe.
Pyetje: Vende që janë të interesuara tha Kryeministri, pra i bie Katari, Emiratet, Turqia…
Ministri Hasani: Pra vende që janë të interesuara direkt, gjithashtu Turqia ka një rol të rëndësishëm në diskutimin politik të sotëm.
Pyetje: Turqia është në një konflikt verbal shumë të ashpër me qeverinë Netanjahu sot, pikërisht për çështjen e Palestinës..!
Ministri Hasani: Por, ndërkohë është dhe një nga faktorët që mund të zgjidhi shumë e shumë prej pikëpyetjet, që kanë të bëjnë me palestinezët.
Pyetje: Zoti Ministër, Sekretari Blinken foli për një nivel të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai tha, po përjetojnë periudhën tonë më të shkëlqyer. Sigurisht, kjo ka rëndësi dhe me faktin që ne, jemi në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit. Kryeministri pak ditë më parë në Luksemburg tha, që do doja që për 3-4 vjet Shqipëria të sillej si një vend evropian. Nënkupton dy gjëra; e para nevojën për transformin shumë të shpejtë të disa sektorëve, të shoqërisë, ekonomisë, të institucioneve, të cilat janë ende në nivel tranzitor pas 30 vjetësh. Dhe e dyta, nënvizon pafuqinë përballë rrymave rezistente brenda BE-së për zgjerimin e saj. Ndërkohë e nënvizoi edhe sot , por edhe Sekretari Blinken që SHBA mbetet sponsori kryesor i integrimit të Shqipërisë në BE. Mendoni që ky nivel i ri, i raporteve me Uashingtonin dhe transformimi i Shqipërisë, ai që është më defektet e veta, por shumë më mirë se më parë, mund t’i krijojë Shqipërisë, e cila gjithashtu është i vetmi vend në Ballkan Perëndimor, i cili potencialisht nuk prodhon tension dhe probleme. Të na venë në avangardë në radhën e anëtarësimit në BE, pra të jemi të parët në radhë…!
Ministri Hasani: Duhet të shikojmë progresin e Shqipërisë në këto 33 vjet demokraci. Shqipëria është padyshim vendi që ka bërë përparimin më të madh në të gjitha aspektet nga ku kemi qenë dhe ku kemi arritur. Shumë shqiptarë kujtojnë kur vizitonin ish-Jugosllavinë, apo kur shkonin në Prespë apo Ohër në Maqedoninë e Veriut të sotme, se çfarë diference dhe zhvillimi kishte. Po ta shikojmë sot, gjërat kanë ngelur aty ku kanë qenë para 33 vjetësh andej dhe nga jonë e kufirit zhvillimi është i dukshëm dhe absolut. Për mendimin tim modest shpresoj që, duke mos ngacmuat fqinjët, them se Shqipëria është një vend evropian në Ballkan. Është vërtet një vend evropian në Ballkan. Nuk është një vend ballkanik që synon të shkojë në Bashkimin Evropian, por është një vend evropian në të gjitha aspektet, në mentalitet, në mënyrën e të bërit biznes dhe në përparim. Padyshim, dhe ne kemi probleme dhe të meta si shumë vende të Ballkanit, si dhe shumë vende të Bashkimit Evropian. Kjo gjë, neve vetëm na shton detyra më të mëdha dhe nevojën për të thelluar reformat, për të punuar më shumë, që mos të jetojmë në ato flluskat e realiteteve që krijojmë. Dhe e gjithë shoqëria shqiptare të eci përpara me një synim të qartë dhe të drejtpërdrejtë që është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian në momentin që BE do të jetë gati për ne.
Pyetje: Ju nënshkruat dy marrëveshje me homologun tuaj Blinken, mund të na thoni diçka më shumë për to.
Ministri Hasani: Një marrëveshje është për bursat ‘Fullbright’, që dyfishon mundësinë e shqiptarëve për të aplikuar dhe përfituar nga ky sistem bursash dhe marrëveshja e dytë ka të bëjë me disinformimin dhe nevojën për të krijuar një mekanizëm të përbashkët me SHBA, në këtë moment shumë kyç, që po përjeton i gjithë komuniteti perëndimor ndërkombëtar në raport me atë që po vjen nga lindja. Do të krijojmë një mekanizëm të përbashkët me SHBA në mënyrë që të kundërshtojmë influencën negative që po vjen nga Rusia dhe vende të ngjashme me to, në shoqërinë shqiptare, përfshirë edhe mediat. Do të punojmë për të. Do të ketë një filtër, edhe pse nuk dua të tremb njerëz, por gjëja që ne po përballemi është e pa censuruar e drejtuar kundër qeverisë, institucioneve dhe ne do përpiqemi me ekspertizën amerikane të krijojmë një mekanizëm të mirë dhe të shëndetshëm të reagimit.
Pyetje: Ndjesë që po ju ngacmoj, po thoni që një media e korruptueshme ndikon automatikisht në komunikimin publik dhe nivelin e demokracisë në vend. Po thoni që ka lindur nevoja e kësaj ndërhyrje për shkak të prezencës së influencës ruse në mediat shqiptare?
Ministri Hasani: Nuk është vetëm tek mediat, por edhe tek rrjetet sociale dhe shumë angazhime të tjera.
Pyetje: Zoti Ministër, sa i përket nivelit, që unë e kam shumë qejf, gjatë këtyre muajve që ju jeni Ministër i Jashtëm, tashmë është arritur edhe një sukses në planin e shërbimit konsullor me Shtetet e Bashkuara.
Ministri Hasani: Pasaporta shqiptare është futur në klubin e të ashtuquajtur në klubin gjashtë mujor. Para pak kohësh, në duhet të kishim pasaporta të cilat nuk skadonin për gjashtë muajt e ardhshëm në mënyrë që të merrej një vizë, është hequr kjo barrierë, dhe shtetasit shqiptar kanë mundësi që të shfrytëzojnë pasaportën e tyre deri në futen për të marrë viza, për të lëvizur et, viza që tashmë janë dhjetëvjeçare.
Pyetje: Gjithnjë është përfolur në qarqe të ngushta, që shtetet e bashkuara kanë regjim vizash për të gjithë, por kanë edhe viza waiver program, viza që u hiqen vendeve që kanë një histori të mirë udhëtimesh, dhe mos shkelje vizash, afatesh me SHBA, këtu futen vende perëndimore, vendeve të zhvilluara, por kjo tashmë ka zbritur, përfshirë edhe vende si Kroacia, vende anëtare të NATO, të BE, por padyshim një nga vendet aleate së bashku me Shqipërinë me SHBA-në, në këtë rajon të trazua. Ky nivel i ri i marrëdhënieve që u zyrtarizua sot, mendoi se do të influencojë në një vendimmarrje të ardhshme apo të shpejtë, mes dy vendeve për anulimin e regjimit të vizave?
Ministri Hasani: Vizat 10-vjeçare janë vendosur para tre vitesh, ka një progres aq të shpejtë dhe aq domethënës, sa ne na ngelet të shpresojmë që gjërat do përmirësohen edhe më shumë dhe sa më shpejt.
Pyetje: Kam një pyetje totalisht personale, pasi ne njihemi prej disa viteve bashkë. Ju kishit marrë një punë tjetër, shumë të rëndësishme në nivel diplomatik, por latë gjithçka dhe ju bashkuat thirrjes së Kryeministrit për t’u bërë Ministër i Punëve të Jashtme, sigurisht që është një sfidë e madhe, sfidë e fortë dhe për një diplomat është një kulminacion, jeni në një nivel me zotin Blinken, i cili vjen si një diplomat karriere para se t’i futet politikës. Por cili është përjetimi në rrafshin personal i kësaj dite, vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, të cilën ju duhet ta shënoni me të kuqe në kalendarin tuaj personal.
Ministri Hasani: Unë mbaj mend kam qenë adoleshent, në vizitën e James Baker, në 91, në Tiranë. Shumë të tjerë kanë qenë protagonistë, unë si adoleshent, kam qenë në shesh dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë, që do vinte dita që unë ta mirëprisja Sekretarin Amerikan të Shtetit në Tiranë dhe ta përcillja.
Gazetari Balla: Kjo është e bukura e një vendi që rritet dhe ne rritemi bashkë me të. Faleminderit shumë, ishte kënaqësi dhe urime edhe personale për këtë ditë shumë të rëndësishme edhe për ty.