10 maj 2025, Bruksel
Më datë 10 maj u zhvillua në ambientet e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian eventi “Open Day” në kuadër të festimit të Ditës së Evropës. Me rastin e këtij eventi, ashtu siç është tashmë traditë prej disa vitesh, pjesë e aktiviteteve ishte dhe prezantimi i vizitorëve me historinë, kulturën, potencialin turistik, kulinarinë, etj, të vendeve kandidate për anëtarësim në BE.
Për këtë qëllim në ambientet e Komitetit u organizua një stendë, pjesë e së cilës ishte dhe vendi ynë, dhe ku patëm mundësi t’iu shpërndajmë të interesuarve materiale informuese promocionale, të përcjella posaçërisht nga MEPJ, të tilla si broshura, fletëpalosje, etj, si dhe t’iu servirim disa gatime tradicionale të përgatitura nga ana jonë. Në aktivitet u shfaq gjithashtu një video promocionale dhe një kolazh fotografish nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe u ekspozuan disa panorama të cilat së bashku me materialet e tjera ngjallën kuriozitetin e vizitorëve për të ditur më shumë rreth vendit tonë.
Stenda u vizitua gjithashtu dhe nga Presidenti i KESE, Oliver Röpke i cili gëzon një interes të veçantë për Shqipërinë, që shkon në të njëjtën linjë me angazhimin e tij për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Komitetit dhe vendit tonë, dhe që dëshmohen tashmë nga ngritja e Komitetit të Përbashkët Konsultativ, ripërtëritja e iniciativës “Anëtarët e Vendeve të Zgjerimit”, apo dhe nga shpeshtësia e vizitave reciproke të nivelit të lartë në Tiranë dhe Bruksel.
Eventi shërbeu gjithashtu për të mësuar më shumë rreth rolit këshillues të Komitetit, rolit të institucioneve të tjera të BE-së, historisë së themelimit dhe personalitetet kyçe të Unionit, sfidave dhe proceseve dinamike, përfshirë zgjerimin si dhe për të njohur publikun me një ditë në një institucion të BE-së.