Shqipëria ishte mikpritësja e Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, i cili u mbajt më 16 maj 2025 në Tiranë, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Komuniteti Politik Evropian, ideja për të cilin u parashtrua fillimisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian në Strasburg më 9 maj 2022, – synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.
Zhvillimi i Samitit është një moment me rëndësi historik si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi, vendet e të cilit kanë bërë progres të dukshëm në drejtim të demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës paqësore. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit janë përmirësuar dhe bashkëpunimi ka njohur rritje cilësore dhe sasiore. Konsolidimi dhe institucionalizimi i perspektivës euro-atlantike dhe evropiane, zgjerimi i NATO-s apo zgjerimi i pritshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor, kanë sjellë ndryshime rrënjësore pozitive në rajon, duke shërbyer si katalizatorë të reformave demokratike, të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë.
Samiti i Tiranës zhvillohet në një kohë kur Evropa e gjen veten në një pikë kthese kritike, me tensionet që po rriten globalisht. Kërcënimet hibride, shtrëngimi ekonomik dhe përçarja teknologjike po testojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe po kërkojnë përgjigje më të koordinuara evropiane.
Diskutimet e Samitit u zhvilluan në tryeza tematike të nivelit të lartë. E para, u fokusua në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, duke adresuar të dyja imperativat imediate – siç është mbështetja e Ukrainës në përpjekjen e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – dhe sfidat afatgjata, duke përfshirë mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrja e huaj dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive të Evropës.
Parë në këtë prizëm, në situatën aktuale të sigurisë ndërkombëtare, Shqipëria mbetet një aktor i rëndësishëm dhe i angazhuar në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal. Mjedisi i brendshëm i sigurisë në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe në nivelin global interesat strategjike të Shqipërisë, burojnë nga përkatësia e saj politike, perëndimore, si vend anëtar i NATO-s, vend kandidat i Bashkimit Evropian, si dhe nga sistemi i saj politik demokratik.
Në nivelin kombëtar interesat strategjike të Shqipërisë përkojnë me interesat e saj kombëtare. Ato burojnë nga vlerat themelore të përcaktuara në Kushtetutë, nga përkatësia e saj politike dhe nga sistemi i saj politik demokratik. Në suazën e tyre, janë integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Shqipërisë, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, si parakushte themelore për ekzistencën e shtetit me të gjitha funksionet e tij dhe të një shoqërie të qëndrueshme. Me rëndësi strategjike për Shqipërinë janë edhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i mbrojtjes kibernetike, përforcimi i dimensionit të qëndrueshmërisë, forcimi i sigurisë së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, rritja e sigurisë energjetike, asaj ushqimore dhe asaj shëndetësore.
Tryeza e dytë e rrumbullakët shqyrtoi se si mund të rritet konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën dixhitale, elasticitetin e energjisë dhe autonominë strategjike të nevojshme për të siguruar zinxhirët kritik të furnizimit dhe për të balancuar qëllimet klimatike me fuqinë industriale.
Në këtë aspekt, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në fushat e mësipërme, duke marrë rol të spikatur në rajon, falë edhe investimeve të zhvilluara së fundmi në fushën e inovacionit dhe infrastrukturës dixhitale. Gjithashtu me investimet e përfunduara, apo në proces në sistemin energjetik apo fotovoltaik Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe është pozicionuar në një standard tjetër rajonal.
Sesioni i tretë i Samitit trajtoi dinamikën komplekse të migrimit, lëvizshmërisë dhe fuqizimit të të rinjve. Ky sesion shqyrtoi rolin e gjeneratës së ardhshme në formësimin e së ardhmes së Evropës, veçanërisht në dritën e inteligjencës artificiale dhe ritmit të përshpejtuar të ndryshimeve teknologjike.
Në drejtim të angazhimit të të rinjve në formësimin e të ardhmes, qeveria shqiptare ka një vizion të qartë, atë që të rinjtë duhet të jenë bashkautorë dhe të luajnë rol parësor në realizimin e vendimeve që lidhen me jetën e tyre. Qeveria e Shqipërisë e shikon situatën me të rinjtë si një mundësi për zhvillim dhe vënien e rinisë në qendër të zhvillimit. Të pajisur me aftësitë dhe mundësitë e nevojshme për të arritur potencialin e tyre, të rinjtë mund të jenë një forcë shtytëse për mbështetjen e zhvillimit dhe kontributin për paqen dhe sigurinë.
Samiti EPC u shpalos në zemër të Tiranës, në sheshin Skënderbej, një hapësirë ku bashkohen historia e Shqipërisë dhe identiteti modern, një vend takimi i përshtatshëm për dialog të hapur, aspirata të përbashkëta dhe një Evropë më të fortë, më të bashkuar.