Në datën 20 qershor 2024, u zhvillua në Tiranë, një takim dy palësh ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, në fushën e diplomacisë publike dhe diasporës, në rang Zv/Ministrash të Jashtëm dhe Zv/Ministrash të Arsimit.
Zv/Ministret e Jashtme, Artemis Malo dhe Liza Gashi si dhe Zv/Ministrat e Arsimit, Nina Guga dhe Taulant Kelmendi, vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me diasporën, përpjekjet e përbashkëta të dy shteteve në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimimit dhe përdorimit të gjuhës amtare, ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kombëtare, si pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Linjat kryesore të angazhimit tonë dhe synimet themelore të punës së përbashkët me diasporën, janë detyrime që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta qeveritare mes dy vendeve tona.
Në takim u dakortësua për angazhimet e mëtejshme të dy vendeve në:
Harmonizimin dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës, për ta përshtatur me kushtet aktuale të mërgatës shqiptare; rritja e standarde të përbashkëta të rekrutimit të mësuesve në diasporë; bashkëfinancimin e projekteve dhe programeve të miratuara nga institucionet përgjegjëse të palëve; organizime të përbashkëta në fushatat sensibilizuese dhe promovuese për/me diasporën; dixhitalizimi i kurikulave të teksteve shqip në diasporë; partneritet dhe përpjekje të përbashkëta midis universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës, për të mbrojtur gjuhën shqipe në kornizën e gjuhëve evropiane.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për ngritjen e grupeve të punës, me ekspertë të ministrive përgjegjëse për të avancuar me projektet e mësipërme.
Newsroom
Takim dypalësh Shqipëri-Kosovë për diplomacinë publike dhe diasporën