Integrimi Evropian
Integrimi në BE është objektivi më i madh kombëtar që kryeson axhendën politike të qeverisë shqiptare. E vetëdijshme se integrimi i Shqipërisë në BE është mënyra më efikase drejt demokratizimit dinamik, qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të përmbushur reformat kyçe për të afruar perspektivën e anëtarësimit në BE. Integrimi në BE është një proces vendimtar që dikton rezultate konkrete, dialog dhe partneritet. Prandaj, po bëhen përpjekje serioze për të siguruar përmbushjen e detyrimeve.
Ne synojmë të zbatojmë një bashkëpunim të shumëanshëm me bindjen se suksesi në procesin e integrimit në BE nënkupton zbatimin e duhur të reformave dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve: opozitës, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe grupeve të interesit. Ne besojmë shumë në marrëdhëniet konkrete dhe të hapura me partnerët tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar profesionalisht dhe financiarisht. Ne duhet të përshpejtojmë drejt finalizimit të këtij procesi që ndihmon në forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Në nëntor 2023, Shqipëria përfundoi me sukses procesin e shqyrtimit për gjashtë grupe tematike në Bruksel. Procesi i shqyrtimit zgjati 14 muaj, gjatë të cilit u zhvilluan 777 prezantime me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Gjithsej 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për rishikimin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së janë zhvilluar që nga viti 2022. Përfundimi i këtij procesi e afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian dhe e bën vendin më të përgatitur për fazat e ardhshme të integrimit.
Historia BE-Shqipëri (Timeline)
Shtator 2022 – Nëntor 2023, Shqipëria ndërmori një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian pasi përfundoi ‘procesin e shqyrtimit’ si pjesë e negociatave të anëtarësimit në BE.
19 korrik 2022 – BE mban konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë
24 Mars 2020 – Ministrat për Çështjet Evropiane dhanë marrëveshjen e tyre politike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u miratua zyrtarisht me procedurë të shkruar dhe u miratua nga Këshilli Evropian në ditët në vijim.
Prill 2018 – Komisioni Evropian lëshoi një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në qershor 2018, Këshilli miratoi konkluzione, në të cilat u pajtua t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria.
09.11.2016 – Në funksion të (…) progresit në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe subjekt i progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting), Komisioni rekomandon hapjen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
( http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_strategy… )
27.06.2014 – Statusi Kandidat në BE për Shqipërinë
23/06/2010 – Parlamenti Europian miraton rezolutën për regjimin pa viza me Shqipërinë
28/4/2009 – Shqipëria dorëzon kërkesën për anëtarësim në BE
1 Prill 2009 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)
17/7/2006 – Këshilli miraton një rregullore që krijon një Instrument të ri për Asistencën e Para-Aderimit (IPA). Ai thjeshton dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. IPA zëvendëson instrumentet ekzistuese (PHARE, SPA, SAPARD, CARDS) që nga 1 janari 2007.
12/6/2006 – Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (dhe Marrëveshja e Përkohshme për Tregtinë dhe Çështjet e Tregtisë) në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Luksemburg
21/6/2003 – Këshilli Evropian i Selanikut konfirmoi “të ardhmen e BE-së” për Ballkanin Perëndimor dhe hap rrugën për pranueshmërinë për instrumentet e përdorura nga Shtetet Anëtare.
31/1/2003 – Nisën zyrtarisht negociatat për një MSA midis BE-së dhe Shqipërisë nga Presidenti i Komisionit Prodi.
5/1999 – BE propozon Procesin e ri të Stabilizim-Asociimit (SAP) për pesë vende të Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë. Shqipëria bëhet e pranueshme për financim sipas CARDS.
1997 – Këshilli i Ministrave të BE-së vendos një qasje rajonale, me kushte politike dhe ekonomike për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
1992 – Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Shqipëria bëhet e pranueshme për financimin e programit Phare.
1991 – Vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Europian.