Çështjet humanitare

Gjeneva është qendër globale për çështjet humanitare dhe migracionin. Një numër organizatash të njohura si Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) kanë selitë e tyre në Gjenevë. Për shumëkënd, Gjeneva njihet dhe si vendlindja e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (ICRC, IFRC).
 
* * *
 
Komisioneri i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
Komisioneri i Lartë të OKB për Refugjatët (UNHCR), Agjencia e OKB për Refugjatët, u krijua në vitin 1950 për të ndihmuar miliona evropianë që kishin ikur ose humbur shtëpitë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa krizat humanitare janë bërë gjithnjë e më komplekse, UNHCR ka zgjeruar numrin dhe llojin e organizatave me të cilat punon.
Në Shqipëri, UNHCR bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë e Policisë për Azilin dhe Migracionin, për të forcuar aksesin ndaj azilit dhe sigurimin e masave mbrojtëse gjatë procedurave të përcaktimit të statusit, veçanërisht qasjen në informacion dhe përfaqësimin ligjor. Qasja në territor dhe azil, lëshimi i dokumentacionit dhe hartimi i një plani kombëtar veprimi për azilin, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së, janë përparësitë e mbrojtjes së zyrës.
 
* * *
 
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), themeluar në vitin 1951, është organizata kryesore ndërqeveritare në fushën e migracionit dhe bashkëpunon ngushtë me partnerë qeveritarë, ndërqeveritarë dhe joqeveritarë. Me 173 shtete anëtare, 8 shtete të tjera që mbajnë statusin e vëzhguesit dhe zyra në mbi 100 vende, IOM është i përkushtuar në promovimin e migracionit njerëzor dhe të rregullt për të mirën e të gjithëve. IOM ofron shërbime dhe këshilla për qeveritë dhe migrantët dhe ndihmon në sigurimin e menaxhimit të rregullt të migracionit, promovon bashkëpunimin ndërkombëtar për çështjet e migracionit, ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve praktike për problemet e migracionit dhe punon për të siguruar ndihmë humanitare për migrantët në nevojë, përfshirë refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit.
Në dhjetor 2018, shtetet anëtare të OKB miratuan Kompaktin Global për Migracionin e Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt (GCM) në një konferencë ndërqeveritare në Marrakesh. Dokumenti, i njohur si "Marrëveshja e Marrakeshit për Migracionin", u miratua zyrtarisht më pas nga Asambleja e Përgjithshme e OKB. Pas një procesi gjithëpërfshirës konsultimesh, ​​Sekretari i Përgjithshëm i OKB vendosi të krijojë Rrjetin e OKB për Migracionin, për të mbështetur zbatimin, ndjekjen dhe rishikimin e GCM. Rrjeti do të sigurojë mbështetje efektive, në kohë dhe të koordinuar të sistemit për shtetet anëtare. Sekretariati i Rrjetit të OKB për Migracionin është vendosur në IOM dhe Drejtori i Përgjithshëm i IOM shërben si Koordinator i Rrjetit.
Shqipëria raportoi vullnetarisht në nëntor 2020 mbi statusin e implementimit të GCM për periudhën 2019-2020.
 
 
* * *
 
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), i themeluar në 1843, është në origjinën e Konventave të Gjenevës dhe Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. ICRC drejton dhe koordinon aktivitetet ndërkombëtare humanitare në konflikte të armatosura dhe situata të tjera dhune.
ICRC është një organizatë e pavarur, neutrale që siguron mbrojtje dhe ndihmë humanitare për viktimat e konflikteve të armatosura dhe situatave të tjera të dhunës. Organizata ndërmerr veprime në përgjigje të urgjencave dhe, në të njëjtën kohë, promovon respektimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe zbatimin e saj.
Shqipëria është palë e Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 (ratifikuar më 27 maj 1957) dhe Protokolleve Shtesë të 10 qershorit 1977 (ratifikuar më 16 qershor 1993).
Kryqi i Kuq Shqiptar, një shoqatë humanitare vullnetare që vepron në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes Humanitare Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, është pjesë e Federatës Ndërkombëtare IFRC dhe partner kryesor i ICRC/IFRC në vend. Kjo u pa veçanërisht gjatë përballjes me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 që goditi rëndë Shqipërinë.

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Rue du Môle 32, 1201 Gjenevë

Tel / Fax

Tel: +4122 7311143
Fax; +4122 7388156
Nr. e emergjences: +41 79 151 85 04 / +4122 7311143

E-MAIL

mission.geneve@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00