Misioni i Shqipërisë në Gjenevë u hap në mars 1987.
Gjeneva është "shtëpia" e më shumë organizatave ndërkombëtare se çdo qytet tjetër në botë. Përveç gamës së gjerë të organeve, agjencive dhe programeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë kanë selinë dhe Organizata Botërore e Tregtisë dhe organizata të tjera të rëndësishme, siç është Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. 177 shtete përfaqësohen nga Misione të Përhershme në Gjenevë, ndërsa mbi 400 organizata joqeveritare dhe 19 platforma luajnë një rol të rëndësishëm avokimi në të gjithë sistemin.
Misioni i Përhershëm i Shqipërisë përfaqëson interesat e vendit në çdo organizatë ku Shqipëria është anëtare apo vëzhguese. Ne punojmë me vendet e tjera dhe përfaqësuesit e sektorit privat për të avancuar interesat dhe qëndrimet e Shqipërisë në fusha të ndryshme, nga të drejtat e njeriut tek çështjet humanitare, çarmatimi, tregtia, ekonomia dhe shëndeti.
Misioni përqendrohet në pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare në Gjenevë dhe nuk ofron shërbime konsullore.