Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, mori pjesë në Forumin për Diplomacinë Kulturore, në Potsdam, organizuar nga Institute for Cultural Diplomacy, ku mbajti një fjalim me fokus “Avancimin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian përmes Diplomacisë Kulturore”.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Sakiqi theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk mund të kufizohet vetëm në aspektet teknike dhe institucionale, si reformat apo kapitujt e negociatave, por duhet të kuptohet si një proces më i gjerë politik, ekonomik dhe kulturor.
Duke u ndalur në sfidat aktuale gjeopolitike, Ambasadorja Sakiqi nënvizoi se Bashkimi Evropian ndodhet përballë një mjedisi ndërkombëtar kompleks, ku është e rëndësishme të ruhet uniteti dhe kohezioni i brendshëm. Ajo theksoi se forca e Evropës qëndron në vlerat e përbashkëta, në respektin për diversitetin dhe në aftësinë për të vepruar si një “familje vlerash” e bashkuar. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi rolin e diplomacisë kulturore dhe ekonomike si instrumente kyçe për afrimin e shoqërive dhe forcimin e mirëkuptimit ndërkulturor, duke e konsideruar zgjerimin e BE-së jo vetëm si një proces teknik, por si një projekt strategjik për stabilitetin dhe të ardhmen e kontinentit.



