Në kuadër të vizitës në Landin e Hessenit Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, e shoqëruar nga Konsullja e Nderit e Shqipërisë në Hessen, Dr. Jonela Hoxhaj, zhvilloi një takim në Frankfurt am Main, qendra financiare e Gjermanisë, me Dr. Clemens Christmann, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Frankfurt am Main.
Takimi u përqendrua tek mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare shqiptaro-gjermane, promovimin e investimeve, lehtësimin e shkëmbimeve të biznesit dhe zhvillimin e partneriteteve të reja ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua potencialit në rritje të Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investimet gjermane, si edhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe formimit profesional.
Të dy palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për avancimin e nismave me përfitim të ndërsjellë, të cilat kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenien afatgjatë të të dy vendeve.
Gjatë vizitës së saj në Frankfurt, Ambasadorja Sakiqi mori pjesë gjithashtu në ceremoninë e hapjes së Ditës së Tregtisë së Jashtme, ku u mirëprit nga z. Ullrich Caspar, Nënkryetar i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Frankfurt am Main.
Ky aktivitet ofroi një platformë të rëndësishme për shkëmbim mendimesh dhe dialog mbi tregtinë ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e reja të biznesit në nivel global.



