Mbështetje e mëtejshme e Gjermanisë për zbatimin e Reformës në Drejtësi

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në deklaratën e përbashkët për mediat:
E nderuar zonja Kancelare!
E dashur Angela!
Faleminderit për ftesën për të ardhur në Berlin sot, më 28 Nëntor, Ditën e festës tonë kombëtarë të Pavarësisë, 104 vjet pas shpalljes së saj, dhe në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, në rrugëtimin drejt integrimit të plotë me Bashkimin Europian.
Faleminderit po ashtu, për faktin që me gjithë angazhimet e jashtëzakonshme që ju keni, keni gjetur përsëri kohën që të takohemi zyrtarisht për të tretën herë në harkun e tre viteve. Shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë dhe kudo ku jetojnë në rajonin tonë, ju janë thellësisht mirënjohës për mbështetjen e fuqishme që Gjermania dhe ju personalisht i keni dhënë krijimit të kushteve për t’i dhënë paqes në Ballkan një cilësi të re bashkëpunimi rajonal. 
Procesi i Berlinit është kthyer në një hapësirë të re komunikimi e ndërveprimi mes shteteve e qytetarëve të rajonit tonë dhe zyra e bashkëpunimit rinor rajonal ngritur në Shqipëri me modelin frymëzues franko-gjerman, është vetëm një prej treguesve kuptimplotë të këtij procesi historik. 
Unë nuk ju them asgjë të re, duke nënvizuar edhe sot faktin se kjo situatë e re premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, gjë që ju e keni konstatuar dhe nënvizuar vazhdimisht. Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë,  të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian. 
Procesi i integrimit europian për ne, për popujt e rajonit tonë, të cilët janë tërësisht europianë, edhe pse shtetet tona nuk janë ende anëtare të BE, duhet të jetë një proces sa më i ndershëm dhe sa më i parashikueshëm.
Shqipëria e shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne nuk kemi hyrë në këtë rrugë, sepse na i ka imponuar Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse na i kanë diktuar etërit themelues që e kanë krijuar shtetin shqiptar 104 vjet më parë, si shprehjen e një vullneti të hershëm, për t’u ndarë nga Lindja e për t’u bashkuar me Perëndimin. Ashtu siç na e ka diktuar dhe na e dikton çdo ditë interesi i gjeneratave pasardhëse për të jetuar në një shtet demokratik që garanton liritë dhe të drejtat e çdo qytetari. 
Prandaj, ne nuk i kemi parë asnjëherë detyrat tona të shtëpisë në rrugën e integrimit europian, si një barrë që e kanë ngarkuar të huajt, por vetëm si një borxh që ua kemi fëmijëve tanë. Me këtë vetëdije ne kemi kryer gjatë këtyre tre vjetëve reforma të thella modernizuese dhe me mbështetjen e pakursyer të miqve tanë europianë, në radhë të parë të Gjermanisë dhe tuajën personalisht, ne kemi kaluar këtë vit një reformë madhore kushtetuese, Reformën e Drejtësisë. Marrja e statusit të vendit kandidat 2 vjet e gjysëm më parë na shërbeu si një motivim i veçantë për kryerjen e kësaj reforme, e cila me plot të drejtë konsiderohet kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Unë sot jam shumë krenar që pasi u takuam më parë në Berlin dhe ju ma bëtë shumë të qartë që - për t’u bërë një vend anëtar i BE, ne e kemi gjithë mbështetjen tuaj, por na duhet me patjetër Reforma në Drejtësi, - sot ne e kemi në kartën tonë kushtetuese të kryer këtë detyrë. Por është vetëm një detyrë e kryer në letër, sepse tani është koha  për ta implementuar. Jemi shumë mirëkuptues, Shqipëria e mirëkupton, dhe e mbështet plotësisht kushtin e Komisionit Europian që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, që të fillojmë zbatimin e ligjit të Vettingut për gjykatësit e prokurorët.
Ashtu sikundër, as nuk e vë në diskutim që deri kur negociatat duhet të çelen zyrtarisht,  progresi në 5 prioritet duhet të jetë i vazhdueshëm dhe ato mbeten udhërrëfyesi ynë deri në ditën e anëtarësimit në BE.
E në fund, e dashur Kancelare, unë dua t’u them se Shqipëria e kërkon dhe besoj që Shqipëria meriton nga BE të njëjtin luajalitet që i ka shprehur vijimërisht Bashkimit Europian me politikën e saj të jashtme 100% të përputhur me vendimmarrjen e BE, me politikën e saj rajonale, tërësisht të orientuar nga vlerat e BE-së dhe me politikën e saj të brendshme plotësisht të udhëhequr nga fryma europiane e zhvillimit demokratik dhe shoqëror.
Edhe një herë tjetër, unë dua t’ju shpreh bindjen time se, po aq sa Shqipëria dhe rajoni ynë sot ka nevojë për Bashkimin Europian, po aq dhe BE ka nevojë për Shqipërinë dhe rajonin.
Unë dua t’u siguroj ju dhe qeverinë tuaj se siç nuk e kemi shpërdoruar asnjë çast besimin dhe mbështetjen që kemi marrë këtu në Berlin, në rrugën tonë, do të vazhdojmë të punojmë për t’i çuar përpara reformat dhe për t’i zbatuar ato në realitetin e përditshëm të Shqipërisë, në mënyrë që më shpejt, se vonë të jemi të gatshëm që të bëhemi pjesë e BE.
Me mirënjohje për Ju dhe me shumë respekt për gjithçka Ju bëni që bota të bëhet më e mirë!

Adresa

Albanische Botschaft
Friedrichstr. 231
10969 Berlin
Germany

Ambasada e RSH-së në Berlin - Botschaft der Republik Albanien

Sektori Konsullor

!!! Për pyetje rreth takimeve në Ambasadë, aplikimeve për leje kalimi, pasaporta, karta ID, humbje të dokumenteve, prokura, deklarata noteriale, nënshtetësi shqiptare, lindje, martesa, etj., si dhe për informacione të ndryshme:

Tel +49 30 25942013
Tel +49 30 81816894

Nr. i emergjencës

!!! Për rastet urgjente si vdekje, aksidente, ndalime/arrestime:

Mobile +49 174 8619587

Sektori Politik dhe Administrativ

Tel. +49 30 25942014
Tel: +49 30 25942015
Fax +49 30 25931890

PËR ÇËSHTJE KONSULLORE LUTEMI DREJTOHUNI NË ADRESËN E POSTËS ELEKTRONIKE ZYRTARE

konsullata.berlin@mfa.gov.al

PËR ÇËSHTJE KONSULLORE LUTEMI DREJTOHUNI NË ADRESËN E POSTËS ELEKTRONIKE ZYRTARE

E-MAIL

konsullata.berlin@mfa.gov.al

Orari zyrtar i Ambasadës

E hënë- E enjte
09:00 - 17:00
E premte
09:00 - 14:00

Orari zyrtar për

Zyrën Konsullore


E hënë 10.00 - 14.00
E mërkurë 10.00 - 14.00
E premte 09.00 - 13.00