Më 2-3 tetor 2024, u mbajt në Berlin Festivali i parë dy-ditor Global Shqiptar i Gastronomisë (GAGF), panairi më i madh shqiptar i gastronomisë jashtë vendit, i cili përfshiu prezantime, panele interesante, diskutime frymëzuese, promovime dhe degustime të shijshme të ushqimeve tona tradicionale.
Ceremonia e hapjes u përshëndet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë z.Igli Hasani dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Përfaqësuesit e nivelit të lartë theksuan se produktet e rajonit janë të pozicionuara mirë për sukses në tregjet evropiane, ndërkohë që tashmë shumë prej tyre kanë bërë hapa të rëndësishëm.
Nën temën “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, GAGF vuri në pah trashëgiminë e pasur të kuzhinës shqiptare duke shfaqur potencialin ekonomik për bizneset shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Shija dhe cilësia e produkteve shqiptare u shpalosën më së miri përmes pjesëmarrjes së 110 kompanive nga të gjitha trevat dhe diaspora shqiptare, ku prodhues, biznese e agrobiznese prezantuan me krenari produktet e freskëta dhe autentike shqiptare në sofrën globale.
Stendat e mbi 22 subjekteve pjesëmarrëse prezantuan produktet #MadeinAlbania përçuan traditat tona më të mira kulinare, shijet e pasura e të kuzhinës sonë dhe potencialin e jashtëzakonshëm që kemi në fushën e turizmit, duke afirmuar fuqishëm rolin dhe vlerat tona në skenën ndërkombëtare.
Kjo ngjarje e veçantë synoi të forcojë lidhjet midis diasporës së suksesshme shqiptare në sektorin e gastronomisë dhe bizneseve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që ofrojnë produkte dhe shërbime të lidhura me gastronominë.
Ky festival kaq i larmishëm u mbyll me mbrëmje gala, ku u ndanë çmime për gastronomët shqiptarë kudo në botë, të cilët kanë kontribuar për të përhapur kulturën dhe traditën shqiptare. Në këtë mbrëmje, dy artiste shqiptare, pianistja Elda Laro dhe soprano Elbenita Kajtazi, i ofruan publikut më të mirat e muzikës shqiptare.
Ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, znj. Adia Sakiqi i akordoi çmimin ‘Duart e nënës’ restorantit shqiptar ‘Kolonja’, i cili ofron ushqimet, shijen dhe artin e të gatuarit shqiptar në Berlin. Ambasadorja akordoi gjithashtu çmimin ‘Gjuha e nënës’ për kontributin e Ahmet Metaj për mësimin e gjuhës shqipe në Berlin si themelues i shkollës së parë shqipe në Berlin në vitin 1976. Ambasadorja Sakiqi i ftoi të gjitha bizneset shqiptare të kulinarisë të mbështesin nismat si 'Duart e nënës' ashtu edhe ‘Gjuha e nënës’, për përhapjen e kulturës, nëpërmjet gjuhës amtare shqipe dhe kuzhinës tradicionale shqiptare.