10 vjet nga Procesi i Berlinit, një shtytës kryesor i bashkëpunimit rajonal, rritjes ekonomike dhe integrimit në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Më 1 tetor 2024, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Procesit të Berlinit u mblodhën në Berlin së bashku me përfaqësues nga vendet e Bashkimit Evropian për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani.
Temat e ministerialit u fokusuan në tre fusha kryesore: përshpejtimi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE; forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe nxitja e stabilitetit rajonal.
Takimi i 10-vjetorit të Procesit të Berlinit nënvizoi rëndësinë e këtij Procesi si një platformë jetike për avancimin e vizionit të përbashkët evropian, duke përforcuar bashkëpunimin midis BE-së dhe BP-së. Ministrat e Punëve të Jashtme theksuan përkushtimin kolektiv për një të ardhme evropiane nga e cila përfitojnë të gjitha shtetet anëtare dhe aspirante, me fokus paqen dhe prosperitetin afatgjatë në rajon.
Shqipëria mbetet e përkushtuar në avancimin e marrëveshjeve të lëvizshmërisë dhe nxitjen e një rajoni më të fortë dhe më të qëndrueshëm.