Në Delfi u zhvillua “Forumi i IX-të Ekonomik i Delfit” – Delphi Economic Forum me titull “Tranzicioni i Madh”, ku morën pjesë personalitete të shquara nga fushat e politikës, diplomacisë, biznesit dhe shoqërisë civile, nga 70 vende të botës – me fokus në sfidat aktuale më të rëndësishme globale.
Në këtë Forum, Shqipëria u përfaqësua nga z. Besart Kadia, Zëvendës Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si panelist në debatin me temë “Evropa dhe Rajoni – Forcimi i bashkëpunimit midis vendeve kandidate për zgjerim dhe vendeve anëtare të BE-së, si mjet përshpejtimi për anëtarësim në BE”.
Z. Kadia bëri një ekspoze të ecurisë së Shqipërisë drejt BE-së, të reformave të rëndësishme të zbatuara në fusha kyçe, si: drejtësia, të drejtat e njeriut, shteti ligjor, administrata publike, rritja e transparencës, lufta kundër korrupsionit, si dhe shprehu angazhimin e plotë të vendit për të thelluar intensivisht bashkëpunimin me partnerët evropianë, për të përshpejtuar integrimin në Familjen Evropiane”.