Lajm i hidhur ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Një kolos i letrave shqipe dhe një zë i fuqishëm në letërsinë botërore, Kadare ka lënë pas një trashëgimi të vyer letrare që do të jetojë përgjithmonë.
Veprat e tij, kanë prekur zemrat e miliona lexuesve nga gjithë bota dhe kanë sjellë në pah histori dhe ndjenja që kalojnë kufijtë kombëtarë. Përmes shkrimeve të tij, ai ka bërë të njohur botën shqiptare dhe ka ndikuar në mendimin kritik dhe kulturor. Puna e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm dhe kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat tona.
Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, datat 2 dhe 3 korrik 2024 shpallen Ditë Zie Kombëtare.
Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, ditën e nesërme, datë 3 korrik 2024, do të mirëpresë ngushëllime në librin që do të hapet në ambientet e saj (adresa Vekiareli 7, Filothei) nga ora 10:00 deri në orën 17:00. Ngushëllime mund të shprehen edhe në formë elektronike në adresën: condolences@mfa.gov.al.
Ngushëllime familjes dhe të gjithë dashamirësve të tij.
Pushofsh në paqe, mjeshtër i madh i fjalës!