Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga pati kënaqësinë e veçantë të ndjekë shfaqjen e suksesshme të operës “La Traviata” të Giuseppe Verdit, që përmbylli sezonin artistik 2023/24 të Operës Kombëtare Greke në amfiteatrin emblematik të Irodhios, në kuadër të Festivalit prestigjioz Epidavros të Athinës.
Performanca e artistëve shqiptarë, balerinit të parë Danilo Zeka dhe balerinëve Florian Papa, Elton Dimroci dhe Edgen Lame, ishte një moment i veçantë krenarie.
Si pjesë e Trupit të Baletit të Operës Kombëtare Greke, ata demonstruan një nivel të lartë profesionalizmi dhe sollën emocione që u vlerësuan me entuziazëm dhe duartrokitje të ngrohta nga audienca.
Kontributi i tyre theksoi fuqishëm cilësitë, potencialin dhe impaktin e artistëve shqiptarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Kjo ngjarje është një dëshmi e shkëlqyer e talentit dhe përkushtimit të artistëve shqiptarë dhe një burim krenarie për të gjithë komunitetin shqiptar në Greqi dhe jo vetëm.