Në ambientet mikpritëse të Kolegjit Amerikan “New York” në Athinë u mbajt me shumë sukses edicioni i 5-të i Festivalit të Gastronomisë, një nismë e bukur e kthyer tashmë në një traditë vjetore nga Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi-Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα.
Ky festival bashkoi komunitetin shqiptar dhe miq të huaj në një atmosferë plot ngjyra, shije dhe emocione, ku u prezantuan:
-Gatime autentike shqiptare
-Produkte dhe punime artizanale
-Kostume popullore
-Aktivitetet e shoqatave shqiptare në Greqi
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë u përfaqësua nga znj. Joneda Dodaj, diplomate për Çështjet e Diasporës, e cila në fjalën e saj përgëzoi organizatorët për këtë kontribut të vyer në promovimin e kulturës shqiptare jashtë atdheut. Ajo theksoi se Ambasada mbështet fuqimisht çdo nismë që forcon identitetin kulturor dhe lidhjet mes komunitetit shqiptar dhe vendit tonë. “Ruajtja e traditës është një urë që na lidh me rrënjët tona. Festivale si ky janë më shumë se thjesht festime – janë dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar,” – u shpreh znj. Dodaj.