Shoqata e parë shqiptare në Greqi, ‘Vëllazërimi’, me kryetar z. Niko Curri, kremtoi në Athinë 30-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet festiv përkujtimor.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi mori pjesë znj. Joneda Dodaj, diplomate e ngarkuar me çështjet e diasporës.
Znj. Dodaj theksoi rolin e shoqatës “Vëllazërimi” si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe komunitetit shqiptar në Greqi, duke vlerësuar përkushtimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, pozitiv dhe konstruktiv me Ambasadën gjatë viteve.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu kryetarja e Komunitetit Shqiptar në Greqi, znj. Rovena Xhori, aktori i mirënjohur z. Nikolla Llambro, kryetarë të shoqatave të ndryshme shqiptare në Greqi, si dhe anëtarë dhe miq të shoqatës “Vëllazërimi”.
Ceremonia u mbyll me një program artistik të pasur, përfshirë këngë polifonike nga grupi “Vëllazërimi” dhe valle tradicionale të interpretuara nga fëmijë dhe të rinj shqiptarë që aderojnë pranë shoqatës.