Festivali Kulturor “Iraklia” në Iraklio, Atikë, hapi mbrëmjen e parë me një atmosferë të veçantë, ku morën pjesë Shqipëria, Qipro dhe Gjeorgjia, duke sjellë kulturat e tyre në një prezantim të bukur për publikun.
Shqipëria u përfaqësua nga grupi i valleve të shoqatës “Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi” («Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα») dhe nga këngëtarja Burbuqe Esti, të cilat interpretuan valle dhe këngë tradicionale shqiptare, duke sjellë para publikut ngjyrat dhe ritmet e trashëgimisë sonë kulturore.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Joneda Dodaj, diplomate e ngarkuar me çështjet e diasporës, përshëndeti të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e festivalit për promovimin e kulturave të ndryshme në Greqi dhe për krijimin e urave të miqësisë mes popujve. Ajo shprehu gjithashtu kënaqësinë e Ambasadës për bashkëpunimin me Bashkinë e Iraklios dhe Kryetarin z. Nikos Babalos, duke theksuar gatishmërinë për ta vazhduar atë me qëllim promovimin e trashëgimisë dhe traditave shqiptare.
Festivali, që do të zhvillohet deri në datën 28 shtator, përfshin një program të gjerë aktivitetesh në hapësira të ndryshme kulturore të qytetit, si koncerte muzikore, shfaqje filmash, ekspozita arti, grupe vallëzimi, netë tematike dhe aktivitete për fëmijë.