Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi u zhvillua aktiviteti kulturor me titull “Dyert e Shpirtit”, një event i dedikuar zërit, historisë dhe krijimtarisë së grave shqiptare në emigrim.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me psikologen dhe Drejtuese të Grupit të Ngritjes Personale, znj. Sofia Çabiri, si edhe me gratë e Organizatës “Jeta”, të cilat prej vitesh kontribuojnë në fuqizimin, kreativitetin dhe solidaritetin e grave shqiptare në diasporë.
Mbrëmja u shoqërua me rrëfime personale, poezi dhe piktura të lindura nga përvoja e emigrimit – një udhëtim shpirtëror ku arti u shndërrua në mjet reflektimi, shërimi dhe vetë-njohjeje.
Gjatë panelit “Udhëtimi im emigrant”, pjesëmarrëset ndanë histori jete, sfida dhe arritje, duke dëshmuar forcën, dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e gruas shqiptare kudo ku jeton.
Presidentja e Organizatës “Jeta”, znj. Elona Kataro, theksoi rolin thelbësor të grave në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit brenda komunitetit shqiptar në Greqi.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi shpreh mirënjohjen për të gjitha pjesëmarrëset, artistet dhe organizatoret që hapën me ne “Dyert e Shpirtit”, duke sjellë në këtë hapësirë zërin, ngjyrat dhe shpirtin e gruas shqiptare në diasporë.




