U çel me sukses ekspozita personale “Retrospektivë” e Ilirian Shima në Qendrën e Artëve të Bashkisë së Athinës – një udhëtim në dekadat e krijimtarisë së piktorit dhe skulptorit shqiptar, ku çdo vepër flet për kujtesën, identitetin dhe eksplorimin e formës.

Ekspozita realizohet me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Greqi, Organizatës së Kulturës, Sportit dhe Rinisë të Bashkisë së Athinës dhe “REZART JASA EVENTS”.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë diplomatë, përfaqësues të institucioneve, dashamirës të artit dhe miq të artistit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.

Midis të pranishmëve ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila vlerësoi krijimtarinë e Ilirian Shimës, duke theksuar se veprat e tij janë një ndërthurje e kujtesës, identitetit dhe interpretimit modern të artit shqiptar. Ajo nënvizoi gjithashtu fuqinë e artit për të lidhur njerëzit përtej kufijve gjeografikë dhe kulturorë, dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e artistit në promovimin e kulturës shqiptare në Greqi.
Me tekst kuratorial nga Katerina Koskina ekspozita “Retrospektivë” ofron një rrëfim vizual që ndërthur traditën, eksperimentin dhe modernitetin, duke hapur një dialog të drejtpërdrejtë me publikun.

Çdo pikturë dhe skulpturë duket sikur flet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e artit shqiptar, duke i dhënë formë emocioneve që nuk kanë nevojë për fjalë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor 2025.
Vendndodhja: Qendra e Artëve e Bashkisë së Athinës (Vasilisis Sofias, Parku “Eleftherias”, 11521, pranë stacionit të metrosë “Megaro Mousikis”)




