Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi pritjen festive me rastin e Festave të Nëntorit, në nderim të Ditës së Flamurit, 113-vjetorit të Pavarësisë dhe 81-vjetorit të Çlirimit. Mbrëmja gala, ku mori pjesë edhe Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, mblodhi mbi 400 pjesëmarrës: personalitete nga arti, kultura, sporti, akademia, mjekësia, shkenca, sipërmarrja, si edhe përfaqësues të shoqatave kulturore, të rinj dhe të ftuar nga Shqipëria dhe trevat shqipfolëse. Ngjarja krijoi një atmosferë të ngrohtë uniteti dhe krenarie kombëtare.


Pritja u pasurua nga performanca plot energji e Era Rusit dhe bandës së saj, vallet tradicionale të grupit “Shqiponja” Tiranë, si edhe veshjet tradicionale dhe ekspozita e fotografive të përgatitura nga Fondacioni “Tradita AL”, nën kujdesin e znj. Edlira Sulaj. Produktet autentike shqiptare, të sjella nga Fabrika e Ujit Tepelene dhe Kantina e Verërave Fani në Berat, i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë të lidhjes me shijet dhe traditat tona.


Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Luela Hajdaraga veçoi arritjet e vitit 2025 për komunitetin shqiptar në Greqi, duke i cilësuar shqiptarët e Greqisë si një histori suksesi që ngrenë lart emrin e Shqipërisë me punë, përkushtim dhe integritet. Ajo vuri theksin te roli i rëndësishëm i mësuesve të gjuhës shqipe dhe ndërlidhja me brezin e ri, i cili rritet në Greqi duke mbajtur gjallë gjuhën, identitetin dhe vlerat kombëtare – një investim i çmuar për të ardhmen e gjithë kombit.


Kontribut të rëndësishëm në organizimin e mbrëmjes dhanë edhe sipërmarrësit shqiptarë, të cilët me mbështetjen dhe punën e tyre treguan se komuniteti shqiptar në Greqi është një forcë e gjallë, kreative dhe e bashkuar. Ata mbeten shembull i vlerave, solidaritetit dhe potencialit të shqiptarisë.


Atmosfera entuziaste e pritjes dëshmoi edhe një herë se, pavarësisht largësisë, Shqipëria rreh në zemrat e çdo shqiptari jashtë vendit. Festat e Nëntorit vazhdojnë të jenë një moment reflektimi, mirënjohjeje dhe bashkimi për të gjithë ne.

Gëzuar Festat e Nëntorit! Gëzuar Shqipëri!
Photo credits: Genti GM Photography



