Me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë dhe 81-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi pati kënaqësinë të organizojë një pritje festive në nder të trupit diplomatik, autoriteteve të larta greke dhe personaliteteve të fushave të ndryshme, në ambientet e hotelit “Grande Bretagne”.


Nderuan me praninë e tyre përfaqësues të institucioneve shtetërore greke, ndër ta Zëvendëskryeministri, z.Kostis Hatzidakis, Ministri i Mbrojtjes, z. Nikos Dendias, Zv.Ministri i Jashtëm, z. Haris Theoharis, Kryebashkiaku i Athinës, z. Haris Doukas, Hirësia e Tij Mitropoliti i Korçës Anastas, deputetë të parlamenteve të të dy vendeve, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të forcave të armatosura, si edhe personalitete të artit, akademisë, kulturës dhe biznesit, grekë dhe shqiptarë.


Mbrëmja, e konceptuar në çdo detaj me elemente të kulturës, identitetit dhe mikpritjes shqiptare, ndërthuri me finesë solemnitetin institucional me elegancën artistike, duke përcjellë qartë frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit që bashkon dy popujt tanë. Të pranishmit shijuan produkte tradicionale shqiptare të përgatitura me kujdes nga duart e shefit të kuzhinës së Agroturizmit Mrizi i Zanave Agroturizëm, z. Altin Prenga, një gamë të gjerë verërash të ofruara nga Kantina e Veres ÇOBO, si dhe produkte nga kompania Kraco.


Në fjalën e saj, Ambasadorja Luela Hajdaraga vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe të cilat sot karakterizohen nga dialog i hapur, konstruktiv dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ajo falenderoi miqtë dhe aleatët e Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer në progresin ekonomik dhe rrugëtimit tonë evropian. Një përshëndetje virtuale për këtë ditë të shënuar përcolli edhe Ministrja e Inteligjencës Artificiale, Diella, e cila nënvizoi dimensionin modern dhe transformues të partneritetit ndërmjet dy vendeve.


Përgëzime të përzemërta për këto data historike dhe mbështetjen për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, theksoi me fjalën e tij Zv.Kryeministri Hatzidakis, i cili, me një gjest miqësor dhe simbolik, u drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe: “Gëzuar festën e Pavarësisë!”

Mbrëmja u kurorëzua me notat artistike të një repertori të pasur në shumë gjuhë të Era Rusit dhe bandës së saj, si dhe kantautorit të mirënjohur grek Harry Varthakouris. Kuarteti i violinave “Enchort”, grupi i Valleve “Shqiponjat”, Tiranë, ekspozita fotografike si dhe veshjet tradicionale nga Atelie “Tradita”, i shtuan këtij eventi penelata vlerash dhe krenarie. Muzika e ngrohtë dhe plot emocion, shoqëruar me pamje nga Shqipëria, krijoi një urë simbolike kulturore që bashkoi traditat dhe zemrat e të dy popujve.






Gëzuar Pavarësinë Shqipëri!



