Gjatë periudhës 04-08 maj 2026 u zhvillua me sukses projekti “Ishujt 2026”, për ofrimin e shërbimeve konsullore dhe pajisjen me dokumente biometrike për shtetasit shqiptarë që jetojnë në ishujt Rodos, Kretë dhe ishujt përreth.
Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, kompanisë “IdentiTek” SHA, si dhe autoriteteve të qeverisjes vendore.

Në total u ofruan 1100 shërbime konsullore, duke iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë që u paraqitën pranë sporteleve të ngritura në terren. Nga foshnjat e porsalindura deri te qytetarët e moshës së tretë, të gjithë morën shërbim me profesionalizëm dhe efikasitet, duke shmangur kostot dhe distancat e largëta drejt Ambasadës.
Ambasada falënderon autoritetet lokale greke për mikpritjen dhe mbështetjen e vyer në realizimin e këtij projekti, si dhe komunitetin shqiptar për bashkëpunimin, durimin dhe besimin e treguar.

Një falënderim i veçantë shkon për ekipin e diplomatëve, stafin teknik të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe punonjësit e kompanisë “IdentiTek” për përkushtimin dhe punën intensive në shërbim të qytetarëve.
Mirënjohje për të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e “Ishujt 2026”.

Në shërbim të qytetarëve, pranë qytetarëve.



