Më 8 qershor 2026, në selinë e Dhomës së Zejtarisë dhe Industrisë së Vogël të Athinës (Βιοτεχνικό Επιμελητήριο Αθηνών – Β.Ε.Α.), u zhvillua një takim ndërmjet Sekretares së Parë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë për Diplomacinë Ekonomike, znj. Joana Zhonga, dhe Presidentit të Β.Ε.Α., z. Konstantinos Damigos, në praninë e përfaqësuesve të sektorëve të zhvillimit, zejtarisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Dhomës.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, me fokus forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe profesionale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe identifikimin e mundësive të bashkëpunimit ndërmjet Β.Ε.Α. dhe Dhomës Kombëtare të Zejtarisë së Shqipërisë (DHKZ).
Gjatë bisedimeve u vlerësua roli i rëndësishëm i komunitetit shqiptar të biznesit në Athinë, i cili është i integruar në sektorë të ndryshëm të zejtarisë, profesioneve teknike dhe sipërmarrjes së vogël, duke kontribuar në mënyrë aktive në jetën ekonomike lokale dhe në veprimtarinë e Dhomës.
Palët diskutuan mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, si formimi profesional dhe shkëmbimi i eksperiencave, mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, promovimi i inovacionit dhe transformimit digjital, pjesëmarrja në programe dhe projekte evropiane, ruajtja dhe promovimi i profesioneve tradicionale dhe artizanatit, si dhe fuqizimi i sipërmarrjes së grave dhe të rinjve.
Në këtë kuadër, u ra dakord të punohet për vendosjen e një bashkëpunimi të qëndrueshëm institucional ndërmjet dy dhomave, përfshirë mundësinë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), si dhe organizimin e delegacioneve reciproke të biznesit dhe profesionistëve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, duke falënderuar Dhomën e Zejtarisë dhe Industrisë së Vogël të Athinës për mikpritjen dhe frymën e bashkëpunimit, rikonfirmon angazhimin e saj për të mbështetur nisma që kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ekonomike, profesionale dhe sipërmarrëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.



