Në vijim të aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të Forumit të 3-të Ekonomik Shqipëri-Greqi dhe takimeve B2B në Athinë, delegacioni i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i kryesuar nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Laura Plaku, zhvilloi një takim bilateral me drejtuesit e Enterprise Greece, të kryesuar nga Kryetari dhe Drejtori Ekzekutiv, z. Marinos Giannopoulos. Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Seksionit të Diplomacisë Ekonomike të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi.

Delegacioni shqiptar u mirëprit në selinë e Enterprise Greece në një atmosferë bashkëpunimi dhe partneriteti institucional, duke riafirmuar marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet dy agjencive dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë promovimin e investimeve, pjesëmarrjen në evente dhe forume ndërkombëtare, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira, si dhe koordinimin e aktiviteteve të ardhshme në Tiranë dhe Athinë.

Diskutimet u fokusuan gjithashtu në identifikimin e mekanizmave konkretë për nxitjen e investimeve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta promovuese në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë kuadër, të dyja palët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj investitorëve dhe rritjes së atraktivitetit të vendeve respektive si destinacione investimi.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi mbështeti koordinimin institucional dhe logjistik të këtij takimi, duke lehtësuar komunikimin ndërmjet palëve dhe duke kontribuar në forcimin e dialogut ndërinstitucional në fushën e diplomacisë ekonomike.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet AIDA-s dhe Enterprise Greece, me synimin për të promovuar mundësi të reja investimi dhe për të mbështetur zhvillimin e partneriteteve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.



