4-20 shtator | Pedion tou Areos, Athinë
Nga data 4 deri më 20 shtator, në Pedion tou Areos në Athinë, u zhvillua Festivali i 54-të i Librit, një prej veprimtarive të rëndësishme letrare dhe kulturore në Greqi, i cili mblodhi autorë, botues, përkthyes, lexues dhe dashamirës të librit nga Greqia dhe më gjerë.
Në këtë takim kulturor ishte e pranishme edhe letërsia shqiptare, përmes veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Greqia. Përmes letërsisë, publiku grek pati mundësinë të njihej me histori, kujtime dhe rrëfime që kapërcejnë kufijtë dhe krijojnë hapësira të reja për dialog kulturor.

Gjatë festivalit u prezantuan:
- Rita Petro, shkrimtare dhe drejtuese e Shtëpisë Botuese “Albas”, prezantoi veprën “Lindur së prapthi” («Αναποδογεννημένη»), botuar në gjuhën greke nga Bythebook. Vepra sjell një rrëfim intim mbi fëmijërinë, identitetin dhe kujtesën në Shqipërinë e diktaturës.
- Thanas Medi, shkrimtar, prezantoi romanin “Kohë e djegur” («Καμένος Χρόνος»), botuar në greqisht nga Bythebook. Në takim morën pjesë si folës Telemak Koça, Robert Goro, Armela Hysi dhe Alma Zekollari. Përmes kujtesës, historisë, vendlindjes dhe traditave, vepra krijon një hapësirë të rëndësishme dialogu mes Shqipërisë dhe Greqisë.
- Robert Goro, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes, prezantoi “Jeta me Edith Piaf”, botuar nga Nikasbooks, në një bashkëbisedim me shkrimtarin Thomas Stergiopoulos. Libri sjell një portret letrar të jetës dhe figurës së jashtëzakonshme të Edith Piaf, një prej zërave më të paharrueshëm të muzikës franceze.
- Niko Kacalidha, shkrimtar, përkthyes dhe publicist, prezantoi romanin “Përmbytja e natës” («Η πλημμυρίδα της νύχτας»), botuar në greqisht nga Nikasbooks. Vepra ndërthur kujtesën, përvojën njerëzore dhe reflektimin mbi kohën.
- Elona Gjergjo Tanka prezantoi librin “Blugrica” (Μπλουγκρίτσα), botuar në greqisht nga Bythebook, një vepër e mbushur me dritë, dashuri, guxim dhe magji, për lexues të vegjël dhe të rritur.

Në aktivitetet e festivalit morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, Sh.S. znj. Luela Hajdaraga, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, z. Fitim Gllareva, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë: znj. Eliverta Radomi, diplomate e ngarkuar me çështjet kulturore; znj. Joana Zhonga, diplomate e ngarkuar me diplomacinë ekonomike; dhe znj. Joneda Dodaj, diplomate e ngarkuar me çështjet e diasporës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi mbështet dhe promovon praninë e kulturës dhe letërsisë shqiptare në Greqi, duke kontribuar në forcimin e dialogut kulturor dhe në krijimin e urave të reja të komunikimit dhe mirëkuptimit mes dy vendeve.



