Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, mori pjesë në takimin e organizuar nga Ambasada e Austrisë në Athinë, në kuadër të nismës “Friends of the Western Balkans”, me pjesëmarrjen e Zëvendësministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, znj. Alexandra Papadopoulou, si dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve pjesëmarrëse.
Takimi u zhvillua me rastin e vizitës në Athinë të Ambasadores Elisabeth Kornfeind, Drejtoreshë e Përgjithshme për Evropën dhe Ekonominë në Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga theksoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, si dhe angazhimin e vendit për vijimin e reformave dhe përmbushjen e objektivave që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Diskutimet u përqendruan në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet partnerëve për avancimin e procesit të integrimit evropian.



