Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026-2027, znj. Joneda Dodaj, diplomate përgjegjëse për çështjet e diasporës pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, vizitoi kursin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Rendi, Atikë, ku mësimi zhvillohet nga znj. Lefteri Metkaj.

Gjatë vizitës, znj. Dodaj vlerësoi përkushtimin e mësueses në mësimdhënien dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe u përcolli nxënësve urimet për një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm.
Në këtë kuadër, u theksua se e drejta për të mësuar gjuhën amtare shoqërohet me një përgjegjësi të përbashkët të familjes, shkollës, vendit amë dhe shtetit pritës për mbështetjen dhe promovimin e saj.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi vijon angazhimin për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të përpjekjeve të mësuesve dhe komunitetit shqiptar për ruajtjen dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu z. Fitim Gllareva, drejtues i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, z. Jovan Mëhilli, Kryetar Nderi i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, si dhe prindër të nxënësve.
Urime të gjithë nxënësve dhe mësuesve për vitin e ri shkollor 2026–2027!



