Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, mori pjesë në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik, të zhvilluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë të Shqipërisë dhe Greqisë, drejtuesve të universiteteve, përfaqësuesve të biznesit, dhomave të tregtisë, organizatave të prodhimit dhe eksportit, autoriteteve portuale dhe institucioneve të tjera të të dy vendeve.
Forumi shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, nxitjen e investimeve dhe krijimin e partneriteteve të reja me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Në ceremoninë e hapjes mbajtën fjalën Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi; Ministri i Brendshëm, z. Ervin Demo; Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, përgjegjës për Maqedoninë dhe Trakën, z. Konstantinos P. Gioulekas; Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, përgjegjës për Diplomacinë Ekonomike dhe Ekstroversionin, z. Harry Theoharis, përmes një videomesazhi; Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu; Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Armela Baka; si dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj. Lambrini Komini.


Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ekonomik, rajonal dhe akademik, me vëmendje të veçantë ndaj zgjerimit të rrjeteve të biznesit, mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacionit, ndërlidhjes rajonale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe tregut të punës. Takimet ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve (B2B) krijuan mundësi të mëtejshme për zhvillimin e kontakteve profesionale dhe identifikimin e fushave të reja të partneritetit.

Në kontekstin e zhvillimeve të sotme gjeoekonomike, thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë përbën një prioritet me rëndësi strategjike. Shkëmbimet tregtare, të cilat kanë tejkaluar vlerën prej 1 miliard eurosh, si dhe prania e konsiderueshme e sipërmarrjeve shqiptare në Greqi dhe atyre greke në Shqipëri, dëshmojnë potencialin për zgjerimin e mëtejshëm të investimeve dhe konsolidimin e partneritetit dypalësh.

Komuniteti shqiptar në Greqi dhe pakica kombëtare greke në Shqipëri vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm si ura lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe shoqërive tona.
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe akademik mbetet një element thelbësor për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, rritjen e qëndrueshmërisë rajonale dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.



