Në Athinë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë (KMSHC) dhe Këshillit të Lartë për Përzgjedhjen e Personelit Civil të Greqisë (ASEP), duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.

Memorandumi u nënshkrua nga Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, znj. Lefterije Lleshi-Luzi, dhe Presidenti i ASEP-it, z. Athanasios Papaioannou, në prani të Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, si dhe të delegacioneve përkatëse.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u realizua me koordinimin dhe mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, në kuadër të angazhimit të saj për nxitjen e dialogut dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe greke.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një frymë konstruktive dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, palët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe përmirësimit të standardeve të administratës publike, në përputhje me parimet dhe vlerat evropiane.

Ky bashkëpunim merr rëndësi të veçantë në kontekstin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke mbështetur forcimin e institucioneve publike dhe përafrimin e praktikave administrative me standardet evropiane.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë mirëpret nënshkrimin e këtij memorandumi dhe vlerëson angazhimin e të dy institucioneve për zhvillimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe të frytshëm.

Ambasada riafirmon përkushtimin e saj për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, në funksion të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjes së rrugëtimit evropian të Shqipërisë.



