Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, zhvilloi një takim me Ministren e Arsimit dhe Çështjeve Fetare të Greqisë, znj. Sofia Zacharaki, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit arsimor, me fokus të veçantë promovimin e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke, lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave shqiptare, si dhe zgjerimin e mundësive për bursa studimi dhe shkëmbime akademike ndërmjet dy vendeve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe universiteteve shqiptare e greke, si dhe nxitjes së nismave dhe aktiviteteve të përbashkëta për të rinjtë.
Takimi riafirmoi rëndësinë e arsimit dhe të shkëmbimeve rinore si ura të qëndrueshme miqësie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.



