Zëvendëskryetarja e Kuvendit të RSH-së, znj. Ermonela Felaj, së bashku me deputeten dhe anëtaren e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Hatixhe Konomi janë mirëpritur në një atmosferë entuziaste dhe miqësore në Ambasadën e RSH-së në Athinë, për të zhvilluar një bashkëbisedim me gratë shqiptare sipëmarrëse në Greqi.
Përfaqësueset e Kuvendit përshëndetën dhe përgëzuan zonjat e pranishme për shembujt pozitivë që sjellin në diasporë dhe për rolin e tyre të rëndësishëm në ekonominë e vendeve, duke u ndalur veçanërisht në incentivat që qeveria shqiptare jep në mbështjetje të biznesit dhe investitorëve.
Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga në fjalën e mirëseardhjes theksoi kontributin e veçantë të grave shqiptare në Greqi, duke i konsideruar ato jo vetëm të suksesshme në punën e tyre, por njëkohësisht tepër të angazhuara me zhvillimet në shoqërinë vendase dhe komunitetin shqiptar. Në kuadër të vitit kushtuar Diplomacisë Ekonomike, znj. Hajdaraga nënvizoi se, si prioritet i Ambasadës, ky sektor do të vijojë me aktivitete dhe takime për të ndihmuar rrjetëzimin, ndërveprimin dhe më kryesoren, zgjerimin e aktiviteteve të tyre tregtare dhe investuese në Shqipëri.
Bashkëbisedimi u dha mundësinë të pranishmeve të njihen me histori suksesi të grave shqiptare sipëmarrëse në Greqi dhe se si ky sukses është arritur me këmbëngulje, vizion dhe punë të palodhur, duke mos lënë aspak mënjëanë familjen dhe çështjet e komunitetit.
Mirë u takofshim në aktivitetet e tjera të Nëntorit Shqiptar!