Në kuadër të 20 vjetorit të themelimit të Komunitetit Shqiptar Greqi (ish-Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi), në ambientet e Qendrës Kulturore të Bashkisë Athinë, u zhvillua konferenca mbi historikun, sfidat dhe arritjet e komunitetit shqiptar në Greqi për gati 35 vite, një aktivitet i organizuar nga Komuniteti Shqiptar Greqi, me kryetare znj. Rovena Xhori, me perkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, të Forumit Grek të Imigrantëve – Greek Forum of Migrants dhe Këshillit për Integrimin e Imigrantëve dhe Refugjatëve të Bashkisë së Athinës – Δήμος Αθηναίων.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, vuri në dukje se ky përvjetor shënon jo vetëm një moment reflektimi për sfidat dhe sakrificat e së kaluarës, por edhe një rast krenarie për arritjet e komunitetit shqiptar. Ajo theksoi se, që nga fillimi i viteve ’90, ky komunitet ka dëshmuar përkushtim dhe kontribut të vazhdueshëm, duke ndërtuar ura të forta mes dy kulturave dhe duke dhënë ndihmesë të çmuar në shoqërinë greke. “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në Greqi mbetet një prioritet për Ambasadën Shqiptare në Athinë. Është thelbësore të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar të drejtat dhe mirëqenien e çdo anëtari të këtij komuniteti,” theksoi znj. Hajdaraga. Së fundmi, Ambasadore Hajdaraga falënderoi themeluesit, ish kryetarët dhe anëtarët e këtij organizmi ndër vite për kontributin e tyre të çmuar.
Konferenca mblodhi personalitete të shquara si z. Dimitris Christopoulos, Dekan në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Panteion; z. Vasilis Chronopoulos, jurist dhe ekspert për çështjet e imigracionit; znj. Antigoni Limberaki, Profesore në Departamentin e Shkencave Ekonomike të Universitetit Panteion; z. Apostolos Kapsalis, ekspert në Institutin e Punës së GSEE; dhe z. Enri Hysenbelliu, Nënkryetar i Komunitetit Shqiptar në Greqi për Brezin e Dytë.
Me moderatore znj. Erjona Balasi, diskutimet u përqendruan në çështjet e përditshme që prekin jetën e komunitetit shqiptar në Greqi, përpjekjet e tyre për integrim dhe sfidat me të cilat ata përballen, përfshirë lejet e qëndrimit, çështjet sociale, pensionet dhe fitimin e shtetësisë greke.