Në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë u organizua aktiviteti historiko-kulturor “Gjirokastra”, pjesë e ciklit “Shqipëria Ime”, që bashkoi qytetarë gjirokastritë që jetojnë në Greqi dhe dashamirës të kulturës shqiptare.
Në këtë event morën pjesë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë -Kosovo in Greece Fitim Gllareva, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi, Kryetarja e Bashkisë Përmet Alma Hoxha, diplomatë të Ambasadës, dhe figura të shquara si gazetari Ëngjëll Serjani, aktori Nikolla Llambro, akademiku-shkrimtari Iljaz Bobaj, si dhe studiuesi-shkrimtari Spiro Xhavara.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga theksoi angazhimin e Ambasadës për ruajtjen e identitetit kulturor dhe traditave shqiptare në diasporë, duke vënë në dukje se Gjirokastra, me historinë dhe kulturën e saj të pasur, përbën një urë të gjallë midis së shkuarës dhe së ardhmes.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Golemi, shprehu mirënjohje të thellë ndaj Ambasadores Hajdaraga për mbështetjen e saj në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditave të Gjirokastrës në Greqi.
Aktiviteti u përmbyll me një performancë të veçantë nga Landi Cenko dhe grupi i iso-polifonisë gjirokastrite, që sollën tingujt autentikë të muzikës tradicionale shqiptare. Të pranishmit shijuan gjithashtu produkte dhe ushqime tradicionale, të ofruara nga Bashkia Gjirokastër dhe përgatitura me përkushtim nga komuniteti gjirokastrit në Greqi.
Ju mirëpresim në aktivitetet e ardhshme të këtij cikli të veçantë kulturor!