Historia, kultura dhe traditat e Korçës u shkrinë të gjitha në një, në eventin e radhës të ciklit “Shqipëria ime: “Korça”, realizuar falë bashkëpunimit të suksesshëm mes Ambasadës, Bashkia Korçë dhe komunitetit korçar në diasporë. Ky aktivitet pasuroi më tej lidhjet kulturore dhe ndihmoi në përçimin e vlerave të rralla të Korçës për brezat e rinj.
Traditat e Korçës, theksoi Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, përbëjnë një pasuri kombëtare dhe janë pjesë thelbësore e identitetit të këtij qyteti, duke dëshmuar harmoninë mes trashëgimisë kulturore dhe vizionit për të ardhmen që ndërtojmë së bashku. Ndërsa Kryetari i Bashkisë, z. Sotiraq Filo, vuri në dukje se Korça shpesh ka qenë pararendëse në historinë e Shqipërisë . Madje, edhe në emigracion, qytetarët e saj kanë kontribuar në ekonomi, kulturë dhe histori. Përfaqësuesit e komunitetit, z. Spartak Tili dhe z. Festim Zaçe, theksuan se aktivitete të tilla janë një urë bashkëpunimi të përhershëm mes diasporës dhe vendlindjes, duke bërë që trashëgimia korçare të përcillet me krenari tek brezat e rinj të diasporës .
Eventi përfshinte një gamë të pasur veprimtarish: prezantimi i kulinarisë dhe punimeve artizanale tradicionale të Korçës, këngë dhe valle korçare të interpretuara nga artistët e ardhur posaçërisht nga ky qytet, këngëtares Gloria Nure si dhe poezi të poetes Elona Gjergo, që i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë artistik.
Një pjesë e rëndësishme e këtij eventi ishte edhe kontributi i aktores së njohur korçare Zamira Kita, e cila me prezantimin e saj plot shpirt dhe ndjenjë riktheu skenën e Korçës, duke sjellë gjallëri dhe emocion. Ajo solli përpara të pranishmëve kujtimet, humorin dhe krenarinë që lidhen me qytetin e saj të dashur, duke e kthyer këtë aktivitet në një përvojë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Ky event i dha Korçës një vend të denjë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke riafirmuar identitetin kulturor të saj dhe frymën e bashkëpunimit.