Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, zhvilloi një takim konstruktiv me Zëvendësministrin e Jashtëm për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapjen të Republikës së Greqisë, z. Harry Theoharis, ku u diskutuan mundësitë e zhvillimit shumëplanësh të bashkëpunimit ekonomik.
Biseda u përqendrua në nisma konkrete për forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë:
– zgjerimin e kuadrit ligjor dhe përparimin në negociatat për Marrëveshjen e Sigurimeve Shoqërore,
– rihapjen e një institucioni bankar grek në Shqipëri,
– organizimin e Forumit Ekonomik Shqipëri-Greqi dhe takimeve B2B në Athinë në vitin 2026.
Të dy palët vlerësuan dinamikën pozitive të bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve të drejtpërdrejta dhe flukseve turistike në të dyja vendet, si dhe rolin e rëndësishëm të komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi. Gjatë takimit u riafirmua angazhimi për të avancuar më tej partneritetin strategjik, në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të përbashkët.
Në 8 muajt e parë të vitit 2025, Greqia renditet e 3-ta në listën e partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë, duke u ngjitur një vend krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.




